Ironizon Kurti: Mund të ketë asociacion të Maleve të Sharrit, po nuk mund të ketë asociacion njëetnik

Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti ka marrë pjesë në një tryezë për dialogun, të organizuar nga Fondacioni për Shoqëri të Hapur, ku ka folur për dialogun me Serbinë.

Kurti ka thënë se në dialog s’ka nevojë të negociohet për çështje që garantohen me Kushtetutë, duke shtuar se kjo nënkupton që nuk mund të themelohet asociacion njëetnik.

“Neni 44 i Kushtetutës garanton lirinë e asocimit, por nuk ka nevojë të negociohet për diçka që garantohet me Kushtetutë. Nuk mund të kemi Asociacion njëetnik- e thotë edhe Gjykata Kushtetuese. Mund të ketë Asociacion të komunave të bjeshkës së Rugovës, maleve të Sharrit, etj., por jo njëetnik”, ka thënë Kurti në këtë tryezë.

Ai ka përmendur edhe katër parime, sipas të cilave duhet të zhvillohet dialogu me Serbinë.

“Një: duhet pranuar realiteti; dy: duhet pranuar e vërteta; tre: të ulemi si të barabartë; katër: të përfitojnë qytetarët”, ka thënë Kurti.

Bashkimi Evropian dje e ka përsëritur qëndrimin e tij se Kosova duhet ta formojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe, duke thënë se Gjykata Kushtetuese e Kosovës nuk e parandalon themelimin e këtij asociacioni.