Arrestohet në Tiranë kosovari që po kërkohej për plagosjen e mjekut në Prishtinë

Një 19-vjeçar nga Kosova, i cili po kërkohej nga Interpoli për plagosjen e mjekut, është arrestuar në Tiranë, pasi nuk pati sukses t’i ikën policisë.

Shtetasi U. A po udhëtonte me makinë kur është ndaluar nga policia rrugore, për kontrollin e dokumentacionit.

Ai ka braktisur veturën dhe ka tentuar të largohet me vrap, por është kapur së bashku me armën e zjarrit, gjatë ndjekjes nga partullat e përgjithshme të Komisariatit të Policisë Nr. 4 Tiranë.

Shtetasi U. A., nga verifikimet e mëtejshme të kryera nga Interpol Tirana, në bashkëpunim me ILECU Kosovë, ka rezultuar se ishte person në kërkim nga autoritetet e Kosovës, nën dyshimet për veprën penale “Vrasja e mbetur në tentativë”.

Gjykata Themelore në Prishtinë ka nxjerrë urdhër-arrestin për këtë shtetas, i cili i është dërguar Interpol Tiranës, me qëllim ekstradimin e tij drejt Kosovës.

Ky shtetas, sipas gazetes express, në muajin shtator 2020, në një spital në Prishtinë, ka goditur me thikë në tentativë një doktor të spitalit, duke e plagosur rëndë.

ILECU Kosovë, në bashkëpunim me Interpol Tirana, vijon punën për ekstradimin e këtij shtetasi drejt Kosovës.