Arrestohet një 41 vjeçar, dyshohet për disa vrasje me pagesë në Kosovë
Ka përfunduar në prangat e Policisë së Shqipërisë një person me rrezikshmëri të lartë shoqërore në fushën e krimeve ndaj personit.
I arrestuari është shtetasi Dod Gjikolaj, 41 vjeç, i cili dyshohet si vrasës me pagesë për disa vrasje në Kosovë, me armë zjarri dhe eksploziv.
Njoftimi i policisë:
Fast Albania, në bashkëpunim me Fast Kosova, DVP Gjirokastër, Lezhë e Shkodër dhe Interpol Tirana, në kuadër të operacionit të koduar “Kalaja” kapën një 41-vjeçar të dyshuar si vrasës me pagesë për disa vrasje në Kosovë, me armë zjarri dhe ekspolziv.
Në zbatim të planit të masave për kapjen e personave që qarkullojnë me armë zjarri, atë që janë të shpallur në kërkim kombëtar e ndërkombëtar, apo që kryejnë trafiqe të paligjshme, falë informacioneve policore dhe koordinimit të veprimeve u organizua dhe u finalizua operacioni policor i koduar “Kalaja”.
Në kuadër të këtij operacioni i cili u zhvillua nga Fast Albania, DVP Gjirokastër, DVP Lezhë e Shkodër, Interpol Tirana dhe Fast Kosova, u bë e mundur lokalizimi i vendndodhjes në Gjirokastër dhe më pas kapja e shtetasit shumë të kërkuar nga drejtësia e Kosovës, D. Gj., 41 vjeç, banues në Velipojë Shkodër.
Ndalimi i këtij shtetasi u bë pasi Gjykata Themelore në Gjakovë, Departamenti për Krimet e Rënda me Vendim nr.26/18, datë 06.07.2020, ka lëshur urdhër arresti ndërkombëtar në ngarkim të këtij shtetasi për veprat penale “Vrasje” dhe “Armëmbajtje pa leje të armëve dhe municioneve luftarake dhe shpërthyese”.

