Arrestohet një doganier kosovar, dyshohet për ryshfet

Një doganier kosovar është arrestuar nën dyshimin për keqpërdorim të detyrës zyrtare. Lajmine ka bërë të ditur Dogana e Kosovës, përmes një komunikate për media.

“Prizren 17 shtator 2021, mbrëmë (16 shtator 2021) pas pranimit të një informate përmes rrugëve zyrtare, se një zyrtar Doganor në Pikë Kalimin e Vermicës është duke e keqpërdorur detyrën zyrtare dhe njëkohësisht pranuar mito njësit e hetimeve të doganës kanë arrestuar këtë zyrtar”, thuhet në njoftim.

Tutje bëhet e ditur se i dyshuari është dërguar në mbajtje për 48 orë.

‘Zyrtarët e Hetimeve të Doganës së Kosovës nën udhëheqjen e Prokurorisë Themelore në Prizren, kanë arrestuar zyrtarin Doganor dhe e kanë dërguar në mbajtje për 48 orë’, thuhet në njoftim.

Zyrtari doganor dyshohet se ka qenë i përfshirë në veprat penale “marrje e mitos” dhe “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

“Bazuar në provat e gjetura dhe sipas urdhrit të Prokurorit të Prokurorisë Themelore në Prizren, është konstatuar dyshimi i arsyeshëm se zyrtari doganor në detyrë ka qenë i përfshirë në veprat penale marrje e mitos sipas nenit 428 dhe Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar sipas nenit 422 te Kodit Penal te Kosovës”, njofton Dogana.