Arrestohet një nga autorët e vrasjes së Ridvan Ramazanit

Policia ka arrestuar ditën e sotme një nga autorët e vrasjes së Ridvan Ramazanit në Shkodër, ngjarje e ndodhur më 28 nëntor të vitit që shkoi. I arrestuari është 34-vjeçari Hydajet Mehmedaj, banues në fshatin Mushan, i cili ishte i shpallur në kërkim.

Mehmedaj u arrestua në një bar-kafe në fshatin Mushan. Dyshohet se 34-vjeçari, në bashkëpunim me Duel Mehmedaj, i cili është i shpallur në kërkim dhe 25-vjeçarin Milkjor Gjoka që u arrestua ditën e ngjarjes, ka vrarë me armë zjarri Ridvan Ramazanin, banues në fshatin Darragjat.

46-vjeçari u gjet i vrarë brenda makinës së tij tip “BMW” pranë një karburanti. Dyshohet se atentatorët qëlluan me armë automatik dhe pasi e ekzekutuan Hysenin u larguan me motoçikletë, transmeton Abcnews.

Ridvan Hyseni (Ramazani) dhe të afërm të tij njihen si biznesmenë në fushën e turizmit. Ata kanë në pronësi të tyre lokale e hotele në plazhin e Velipojës dhe në Shirokë.