Arrestohet për therrjen e dy personave 22-vjeçari që ishte keqtrajtuar më herët në polici
22-vjeçari Leotrim Rama, që në opinion njihet si rasti i keqtrajtimit në polici, është arrestuar sot për shkak të pjesëmarrjes në një përleshje fizike, ku dyshohet se ka lënduar me thikë dy persona, të cilët janë dërguar për trajtim mjekësor në QKUK.
Pas intervistimit, 22-vjeçari, me urdhër të prokurorit është dërguar në mbajtje, ndërsa ndaj tij janë iniciuar rastet “vrasje në tentativë” si dhe “mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
Lajmin për Gazetën Express e ka konfirmuar, Agron Borovci, zëdhënës në policinë rajonale të Prishtinës.
“Më datë 01.06.2021, rreth orës 00:05, është raportuar për një përleshje fizike në mes të disa personave të ndodhur në rrugën “Ilir Konushevci” në Prishtinë.
Menjëherë pas marrjes së informatës policia ka dalë në vendin e ngjarjes me ç’ rast ka arrestuar të dyshuarin; L.R, 22 vjeç, shtetas Kosovar.
Nga hetimi preliminar janë ngritur dyshimet se, i dyshuari me një mjet të mprehtë u ka shkaktuar lëndime trupore dy viktimave të cilët janë dërguar në QKUK për trajtimin e nevojshëm mjekësor.
Ndërkohë që i dyshuari është arrestuar, ai ka marrë trajtimin e nevojshëm nga mjekët emergjent si dhe ka rezultuar të jetë nën ndikim të alkoolit. Me rekomandimin e prokurorit të shteti i njëjti është dërguar në qendrën e mbajtjes prej 48 orësh dhe ndaj tij është iniciuar një hetim për rastet vrasje në tentativë si dhe mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, tha Borovci për Express.
Express ka raportuar ditë më parë se Prokuroria Themelore e Prishtinës ka ngritur aktakuzë kundër zyrtarit policor Harris Kelmendi dhe kolegut të tij Agon Hyseni, për keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare, ndërsa Kelmendi ngarkohet edhe me veprën “Pengimi i të provuarit apo procedurës zyrtare”.