Arrijnë në Kosovë arkivolet e mbushura me dhembje mërgimi

Kanë arritur tashmë në Kosovë trupat e dhjetë viktimave të aksidentit tragjik në Slavonski Brod të Kroacisë, të cilët do të prehen përjetshëm në tokën e atdheut, për të cilin patën gjithmonë mall.

Varrimi i viktimave të aksidentit të autobusit, që e ndërpreu në gjysmë rrugëtimin drejt vendlindjes, pritet të bëhet në orët e pasditës.

Autobusi me të cilin udhëtonin ata nga Frankfurti për në Prishtinë, doli nga rruga në qytetin Slavonski Brod dhe përfundoi jashtë saj, herët në mëngjes, duke u ndërprerë ëndrrat atyre që po flinin në atë moment tragjik.

Autobusi me targa të Kosovës po transportonte 67 pasagjerë.

Shoferi u ndalua nga autoritetet kroate në vendin e ngjarjes, ndërsa të martën atij iu caktua masa e paraburgimit prej 30 ditësh.

Të martën mbrëma, në Kosovë arritën 21 të mbijetuar të aksidentit.

Ata u pritën në aeroportin në Prishtinë nga udhëheqësit e shtetit të Kosovës, ndërsa më pas u shoqëruan nga familjarët e tyre. /Mediafokus.info