Arritën në Kosovë mërgimtarët që i shpëtuan aksidentit

Arritën në Aeroportin e Prishtinës ‘Adem Jashari’ mërgimtarët që i shpëtuan aksidentit në Kroaci, ku po i presin familjarët.

Dy autoambulanca kanë arritur në ANP për t’i trajtuar të mbijetuarit që kanë nevojë për tretman mjekësor.

Në autobusin, i cili u aksidentua kanë qenë 67 udhëtarë dhe dy shoferë, ku njëri nga shoferët ka vdekur. Autobusi po udhëtonte në linjë të rregullt Frankfurt-Prishtinë.

Në aksidentin që ndodhi të dielen mbetën të vdekur 10 persona, ndërsa sot të mbijetuarit e këtij aksidenti arritën në Aeroportin e Prishtinës.

Gazeta Express raporton se përveç familjarëve, prezentë për pritjen e tyre janë edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti,  kryekuvendari, Glauk Konjufca dhe ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.