Arrestohet një arsimtar nga Dragashi, dyshohet se spiunonte për BIA-n
Fehim Sali është personi i arrestuar nën dyshimet për veprën penale të spiunazhit, në një operacion të përbashkët të Agjencisë Kosovare të Inteligjencës, Policisë së Kosovës dhe Prokurorisë Speciale.
Fehim Sali dyshohet se për një periudhë të gjatë ka bashkëpunuar me Agjencinë serbe të Inteligjencës (BIA) dhe se ka mbajtur kontakte me zyrtarin e saj, Zelimir Matoviq, shkruan RTK.
Ai punon si arsimtar në shkollën serbe “9 Maji” në Rapçë të Dragashit dhe më herët ka qenë i angazhuar në Këshillin Konsultativ për Komunitete pranë Zyrës së Presidentes.
Po ashtu, dyshohet se merret me ndërmjetësimin për prona dhe dokumente serbe, ndërsa dyshohet se është angazhuar në grumbullimin e votave për mbështetësit e Alleksandar Vuçiqit.
Ai është arrestuar sot në mëngjes, me urdhër të Prokurorisë Speciale, në pikën kufitare në Merdarë të Podujevës.
Arrestimi i të dyshuarit është realizuar pas veprimeve hetimore të ndërmarra nga autoritetet kompetente.
Kryetari i komunës së Dragashit, Bexhet Xheladini, ka konfirmuar për Klan Kosova se ai nuk ka punuar në sistemin e shkollimit të Kosovës.
“F.S., nuk është arsimtar i sistemit të shkollimit me planprograme të Republikës së Kosovës”, tha Xheladini për Klanin.
Sipas burimeve, ai u arrestua nën dyshimin për spiunazh.
Fehim Sali vjen nga komuniteti goran i Kosovës. (foto ilustrim)

