Artizanet e Gjilanit, Shkupit e Kumanovës prezantojnë punimet e tyre

Është hapur sot në Gjilan panairi i artizanaleve, ku janë prezantuar punime nga Gjilani, Kamenica, Parteshi, Shkupi dhe Kumanova.

Kryesuesja e Kuvendit Komunal të Gjilanit, Shpresa Kurteshi-Emini, i ka përgëzuar artizanet për punimet e tyre të mira, ndërkaq ka shprehur mirënjohje të thellë për Komisionin Europian për mbështetjen e këtij projekti.

“Ky është projekti i parë i këtij lloji në Kosovë dhe uroj që t’iu shërbejë të gjithë artizaneve dhe klientëve që janë të interesuar t’i kenë këto punime pranë vetes. Si Komunë e Gjilanit, kryetari Haziri dhe Drejtoria për Zhvillim Ekonomik, vazhdimisht kemi qenë në mbështetje të artizanëve”, ka thënë Kurteshi Emini.

Kushtrim Kaloshi, drejtor ekzekutiv i ATRC, tha se falë angazhimit, motivimit dhe interesimit, u bë i mundur organizimi i këtij panairi me punimet më të mira të artizaneve nga regjioni.

“Ky program forcon lidhjen dhe bashkëpunimin mes artizaneve të regjionit të Gjilanit, Shkupit dhe Kumanovës. Ne kemi krijuar mundësinë që artizanet të takohen mes vete, përmes trajnimeve të përbashkëta, me synimin që të avancohen kapacitetet jo vetëm të prodhimit, por edhe shitjes e brendimit”, ka thënë Kaloshi.

Në këtë ngjarje u bë lansimi edhe i platformës për shitjen e produkteve online Craftart4you.

Në fund, u ndan mirënjohje për të gjithë artizanet për suksesin e treguar.