As Konjufca s’i merr votat për t’u bërë Kryeministër, vendi drejt zgjedhjeve

Edhe Glauk Konjufca ka dështuar të zgjidhet kryeministër i Kosovës, meqë nuk mori 61 votat e nevojshme në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës.

Lëvizja Vetëvendosje hyri në seancë pa një marrëveshje paraprake dhe sikurse mandatari i parë, Albin Kurti, edhe Konjufca nuk mori mbështetje.

Për votuan 56, kundër 53 dhe katër abstenime.

Vota të ngjashme kishte marrë edhe Kurti. Për të kishin votuar 56 për, 52 kundër dhe katër abstenime.

Pas këtij dështimi i mbetet presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, të vendosë për hapat e mëtejmë.

Dhjetori është përmendur si muaj i mundshëm për zgjedhje të jashtëzakonshme.

Seanca u thirr në ditën e fundit të afatit 15-ditor që kur presidentja Osmani e mandatoi Konjufcën.

PDK, LDK, AAK e akuzuan Vetëvendosjen për zgjatje të krizës dhe ngërçit institucional.

Edhe pse ishte e vetëdijshme që s’i kishte numrat, propozoi një mandatar të dytë.