Asbesti po i ‘vret’ në heshtje banorët e lagjes Iliria në Gjilan
Banorët e lagjes Iliria (ish-Kamnik) në Gjilan po i ‘vret’ në heshtje asbesti, një material ky kancerogjen, i cili askund në botë nuk përdoret prej vitesh.
Një kompleks banesor në këtë lagje, i ndërtuar në vitet e 80-ta, edhe sot pas gati gjysmë shekulli mbetet i mbuluar me tjegulla asbesti, tashmë të dëmtuara e të shqyera në të gjitha anët.
Grimcat e këtij materiali shpërndahen në vazhdimësi në ajër, sidomos kur ka erëra më të forta.
Edhe pse banorët e këtij kompleksi prej 6 ndërtesash paguajnë tatime njësoj sikur qytetarët tjerë, ata janë anashkaluar deri tani në investime.
Të rikujtojmë se shumica e banesave tjera në këtë qytet janë rinovuar në 10-15-vjetshin e fundit, disa edhe për herë të dytë.
Në fund të mandatit të parë, Alban Hyseni filloi një projekt për fasadimin e banesave, por nuk vazhdoi përtej soliterit, ndonëse premtimi ishte publik.
Çatitë prej asbesti dhe fasadat e vjetërsuara e shëmtojnë edhe më shumë këtë lagje urbane, e cila do të duhej të ishte e të dukej krejt ndryshe, sepse nuk është më shumë se 300-400 metra nga qendra e qytetit.
Fëmijët tanë nuk meritojnë të jetojnë e të rriten në një ambient si ky, që reflekton vrazhdësi, pasiguri, rrezik për sëmundje të rënda.
Banorët e kësaj lagje, sidomos ata të banimit kolektiv, i bëjnë thirrje qeverisjes komunale që të intervenojë urgjentisht në largimin e tjegullave të asbestit, sepse ato po ‘vrasin’ në heshtje jo vetëm banorët e bllokut të kaltër, po edhe qytetarët e Gjilanit, përreth tij.
Asbesti është vlerësuar materie tepër e rrezikshme në pikëpamje shëndetësore. /Mediafokus.info

