Asgjë më nesër nuk do të jetë sikur dje

Kaluan gati dy muaj nga data e mbajtjes së zgjedhjeve të lira në Republikën e Kosovës. Numërimi dhe rinumërimi i votave e ka nxjerrë fituese opozitën, gjegjësisht populli ia ka besuar qeverisjen Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Mirishahe Limani Hiler 

Ç`po ndodhë me jetësimin e vullnetit të lirë të kosovarëve që nga data 6 tetor? 

“Komandantët” e larguar nga pushteti në opozitë, jo rastësisht që prej dy muajsh po provojnë “forcën” e tyre për të bindur vetveten se janë “të pazëvendësueshëm”! Kushtetutën e Kosovës, që prej ardhjes së tyre në pushtet “kurrë nuk e kanë lexuar e studiuar” më mirë se sot. E gjora! Është qitur “në shoshë e derman” vetëm e vetëm që të zvarritet sa më shumë ardhja në pushtet e qeverisë së re.

Është krijuar një pozitë aq e favorshme për të korruptuarit në pushtet, që jo vetëm të largohen nga zyrat e tyre me këpucët e kostumet rezervë që i kishin aty, por do të kenë kohë të përzgjedhin e të largohen bashkë edhe me dosjet e “punës” së tyre, pa gjurmë e me pak zhurmë.

Arsyetimet e kohëzgjatjes së procesit, me numërime e rinumërime të votave, në sytë e popullit, po humbin tashmë çdo efekt pozitiv. Veprimet e tilla  do të arsyetoheshin  po që se do të merrnin vetëm një javë kohë më shumë, nga data e zgjedhjeve. Përndryshe, gjithçka tjetër në vijim është vetëm teatër!

Kush po punon për Kosovën sot?

Dy partitë më të mëdha në vend, fituese të zgjedhjeve të 6 tetorit, në pamundësi të kushteve më të mira, janë ulur në tryezë të koalicionit diku në lokalet e formacioneve të tyre politike dhe projektojnë qeverisjen e re. Sytë e shumicës absolute të popullit janë kthyer kah kjo tryezë, e cila, duke qenë qeveri ende e pa legjitimuar, po shkakton huti. Ndërkohë, për shumicën e lartpërmendur, të cilët ua kthyen shpinën “komandantëve” mbetet brengosëse hija që i ndjekë pas me javë të tëra.

Në pritje të përmbushjes së programeve të reja qeverisëse, urtësia dhe durimi i popullit kanë filluar të zbehen. Qeveria e re jashtë objektit parlamentar dhe qeveria e vjetër brenda këtij objekti, të lënë përshtypje të padëshiruar, që i vije era “paralelizëm qeveritar”. E dyta, me çdo kusht mundohet të “vjedhë” kohën, ndërsa e para “ankohet” për çdo orë të humbur jashtë fushëveprimit zyrtar.

Përderisa opozita e së nesërmes mbanë lëmshin e koklavitur nën thonj e pozita kërkon një ditë e më parë të gjejë fillin, kush po punon për Kosovën sot?

Është krejt e natyrshme për një pjesë të atyre partive që ishin në pozitë, të marrin kohë, sepse për ta, asgjë më nesër nuk do të jetë sikur dje.

Të paktën, ky është zëri i votës së shumicës së votuesve. Votuesi kosovar sot ndjehet më pritës se kurrë. Përvoja e tij e gjatë dhe e mundimshme në një “rreth vicioz” që bëhej gjithnjë e më i padurueshëm, ka bërë që tani asgjë më të mos lihet nën mëshirën e emocioneve.

As nga qeveria e re nuk duhet të priten mrekulli, por me siguri se kjo qeveri do bëjnë punë të mira. Do të bëjnë punë të mira, sepse janë pikërisht aty ku duhet të kryhen punët, për të cilat e ka mandatuar votuesi. Populli i Kosovës nuk ka kohë dhe mundësi të falë më tutje. Nuk ka kohë të kthehet prapa e të pendohet.

Asgjë më nesër nuk do të jetë sikur dje. Secili duhet dhe do ta gjejë veten sa më parë aty ku ai mbanë emrin e tij.