Asnjë familje në Gjilan nuk duhet t`i humb shpresat për një strehë mbi kokë

Pos 113 shtëpive, të cilat janë ndërtuar deri tani, në përfundim e sipër është edhe fshati social, një vendbanim ky i integruar dhe me të gjitha shërbimet, për pleq, fëmijë jetimë dhe nevojtarë të tjerë.

Kthimin e shpresës për familjet pa strehë e pa krahë, komuna e Gjilanit e ka një nga prioritetet e saj kryesore.

Lutfi Haziri, kryetar i kësaj Komune, ka thënë se gjatë mandatit të tij, të parë dhe të dytë, prioritet i madh i është dhënë banimit social, ku së bashku me donatorët, deri më tani janë ndërtuar 113 shtëpi për nevojtarë.

“Njëri nga prioritetet e mia janë familjet pa strehë, pa krahë dhe pa shpresë”, ka thënë Haziri.

Po ashtu, një numri tjetër të familjeve me gjendje të rëndë sociale, iu paguhet qiraja e banimit.

Jashtë kujdesit nuk do të jenë as pleqtë dhe fëmijët jetimë. Askush në komunën e Gjilanit nuk duhet t`i humb shpresat për një strehë mbi kokë.

“Në përfundim e sipër është fshati social, donacion nga Kuvajti, në vlerë 2.5 milionë dollarë, ku  përfshihen 12 objekte për pleq, për nëna pa përkujdesje dhe fëmijë jetimë”, ka thënë Haziri.

Sipas drejtorit të Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Selami Xhemaili, ky projekt gjigant pritet të përfundojë në fillim të vitit të ardhshëm.

Komuna e Gjilanit e ka ofruar pronën për këtë investim dhe do t`i marrë edhe përgjegjësitë e menaxhimit të fshatit social në mënyrën më të mirë.

Gurthemeli i fshatit social është vënë në shtatorin e vitit 2018.

Aktualisht në Gjilan jetojnë 22 pleq të pambrojtur, por ky numër mund të rritet në të ardhmen, shkaku i migracionit.