‘Atë gishtin fute…’, Grida Duma humb durimin me të ftuarin (VIDEO)

Drejtori i Komunikimit në Partinë Demokratike, Alfred Lela, është detyruar të lërë studion pas një përplasjeje verbale me moderatoren Grida Duma.

Tensioni nisi kur Duma kërkoi llogari nga përfaqësuesi i PD-së se përse opozita nuk shkonte te pallati i djegur për të parë situatën nga afër, pyetje e cila u pasua nga reagime të forta dypalëshe.

Lela ironizoi moderatoren duke u shprehur: “Topi është i joti, penalltinë gjuaje vetë”.

Ky koment nuk u prit mirë nga Duma, e cila i kujtoi Lelës se në “fushën e saj” rregullat i vendos moderatorja.

Debati mori përmasa tjetra kur palët nisën të diskutonin mbi etikën e komunikimit dhe pozicionin e secilit në atë tryezë diskutimi.

Pika e vlimit arriti kur Alfred Lela reagoi ndaj gjesteve të moderatores, duke i kërkuar të mos i drejtonte gishtin, me pretendimin se nuk ishte nxënësi i saj.

Debati kaloi në përdorimin e fjalorit fyes kur Lela përdori një shprehje banale lidhur me gishtin e drejtuar, veprim të cilin Duma e ktheu mbrapsht me të njëjtën monedhë.

Pas këtij momenti, Grida Duma i kërkoi zyrtarit të PD-së të largohej menjëherë nga studio, duke theksuar se nuk toleron gjuhë të tillë në emisionin e saj.