Auto-shkollat me pronarë shqiptarë në Zvicër e ndihmojnë familjen Abazi

Solidariteti me familjen kosovare nga komuna e Gjilanit, e cila pësoi nga fatkeqësia e natyrës, para një muaji, në Shqipëri, shtrihet edhe në Zvicër.

Një numër auto-shkollash me pronarë shqiptarë në shtetin helvetik, kanë grumbulluar mjete për familjen Abazi në Livoç, që humbi dy djemtë e saj në tërmetin e 26 nëntorit në Durrës.

Vëllezërit Abazi kishin mbërritur natën tragjike në Durrës, për nevoja pune.

Ata kanë lënë pas vete 6 fëmijë jetimë.

Nëntë auto-shkolla në Zvicër, Keka, Skenderi, Imrani, Memeti, Pacolli, Besimi, Kosumi, Lydi-s dhe Lumi, si Jetmir Shala, person privat, i cili i është bashkëngjitur këtij aksioni, kanë grumbulluar një shumë të mjeteve dhe ia kanë dorëzuar kësaj familje.

Donatorët nuk kanë preferuar të përmendet shuma, por kanë thënë se është një ndihmë simbolike prej auto-shkollave në Zvicër për familjen Abazi në Gjilan./MediaFokus/