Autostrada e Gjilanit, nuk ka më as premtime për përfundimin e saj

Me afrimin e zgjedhjeve të 9 shkurtit, Ministrat e Qeverisë Kurti kanë filluar të shfaqen nëpër studio televizive për të dhënë premtime. Mbrëmë ishte Ministri i Infrastrukturës, Liburn Aliu foli për projektet më të mëdha infrastrukturore, që kjo Qeveri ka premtuar t’i përfundojë këtë mandat. Për dy rrugë tha se do të përfundojnë, e për Autostradën e Gjilanit deklaroi se Kurti ka gabuar që ka premtuar se hapet në vitin 2023. Se kur do të përfundojë kjo autostradë, nuk dha ndonjë afat.

“Autostrada Prishtinë—Gjilan po bëhet. Ajo hapet këtë vit. Urime!”, u kishte premtuar kryeministri Albin Kurti me bindje qytetarëve në korrik të vitit të kaluar.

Punët në këtë autostradë lë që nuk kanë përfunduar ende, as tash në tetor të vitit 2024, por tani qeveritarët s’po guxojnë as të japin afat tjetër për hapjen e saj.

Ministri i Infrastrukturës, Liburn Aliu, e ka cilësuar gabim dhënien e një premtimi të tillë nga Kurti.

Fajin ia ka lënë edhe Ministrisë që e udhëheq vetë, duke deklaruar se kryeministri është vënë në lajthitje me raportin për punët e kryera.

Mospërfundimin e kësaj autostrade, Aliu e ka lidhur me telashet që u kanë dalur me shpronësimet, defektet në projekt, shembjet, si dhe situatën e krijuar pas luftës në Ukrainë si dhe atë pas pandemisë.

Aliu ka thënë mbrëmë në RTV Dukagjini se pavarësisht se nuk e kishte mbajtur premtimin që e kishte dhënë në vitin 2023, Kurti ishte zotuar për përfundimin e kësaj autostrade edhe në një konferencë për media në mars të këtij viti.

Në atë konferencë, Kurti e kishte shfrytëzuar rastin t’i fajësonte qeveritë e kaluara për gjendjen e këtyre rrugëve.

“Po, do t’i përfundojmë punët që qeveritë e mëhershme i lanë keq dhe në gjysmë, si rruga Prishtinë-Podujevë, Prishtinë-Mitrovicë si dhe Autostrada Prishtinë-Gjilan.

Përveç këtyre, kemi trasuar rrugën edhe për projekte të mëdha të Qeverisë sonë”, kishte deklaruar Kurti.

Ndërtimi i kësaj autostrade, që do ta lidhë Kosovën me Luginën e Preshevës, ka filluar në prill të vitit 2018.

Atëherë është thënë do të kushtojë 87 milionë euro. Por, në Ligjin për ndarje buxhetore të vitit 2024, figuron se vlera totale e saj është rreth 129 milionë euro.