Autostrada që ndau malet e Zhegocit, ka ndarë edhe jetën në dysh – asnjë ‘urë e gjelbër’ nuk është paraparë!

Malet e Zhegocit, dikur një hapësirë e gjerë, e mbushur me gjallëri, me drerë që kalonin mes pyjeve, me zogj që ndërronin degët në heshtjen e mëngjesit – sot janë ndarë më dysh.

Një vijë betoni dhe asfalti, autostrada Prishtinë–Gjilan, ka prerë në mes një nga zonat më të pasura me faunë të Anamoravës.

Në asnjë segment të saj nuk është ndërtuar asnjë urë e gjelbër, asnjë kalim për kafshët e egra, asnjë kujdes për lidhjen midis dy anëve të malit.

Rruga është ndërtuar për shpejtësi, por jo për jetë.

Kafshët që më parë lëviznin lirshëm midis pyjeve dhe kullotave, tani përballen me një mur të hekurt e zhurmash – dhe shumë prej tyre e paguajnë me jetë.

Derri i egër, dhelpra, kaprolli, madje edhe lepuri i zakonshëm, nuk dinë çfarë është “projekti i zhvillimit” apo “rritja e mobilitetit”.

Ato kërkojnë vetëm kalimin e tyre të përhershëm, rrugën drejt ujit, pyllit, strehës.

Por tani, kjo rrugë është prerë. Dhe kur natyra ndahet më dysh, edhe jeta ndahet.

Në Evropë investohet miliona, për çdo autostradë ndërtohen ura të gjelbra për kalimin e faunës – mbi 300 ura të tilla ekzistojnë sot vetëm në Zvicër.

Një investim prej disa milionë frangash shihet si investim për jetë.

Këto ura nuk janë luks, por domosdoshmëri për të ruajtur ekuilibrin midis njeriut dhe natyrës.

Në Kosovë, ende nuk është ndërtuar asnjë e tillë.

Në malet e Zhegocit, mungesa e një ure të vetme do të thotë ndarje e habitatit, zhdukje e rrugëve të migrimit dhe ulje e diversitetit natyror që e bën këtë vend unik.

Kjo është një plagë që nuk shihet me sy, por që ndihet në heshtjen e pyllit, në mungesën e cicërimave, në rrallimin e faunës.

Nëse duam që zhvillimi të mos jetë vetëm beton, por edhe jetë, duhet ta dëgjojmë natyrën.

Ajo nuk kërkon shumë – kërkon vetëm një urë që bashkon dy pjesë të ndara. /Sabedin Sherifi