Avdush Canaj vjen me një tufë lirikash nga burgu ‘Edhe ëndrrat në pranga’

Avdush Canaj ka sjellë në dritë librin e ri ‘Edhe ëndrrat në pranga’, një përmbledhje lirikash nga burgu, të cilin ai e bëri me të hyrë të viteve të tetëdhjeta, kur u dënua nga një gjykatë ushtarake jugosllave, pak ditë para se të përfundonte shërbimin e detyrueshëm, shkruan Mediafokus.info

Duke lexuar librin më të ri të tij, nuk ke sesi të mos ndalesh dhe meditosh: si është e mundur që ky vëllim poetik për të rritur, me këtë nivel estetik-letrar qenka shkruar në burg në të hyrë të viteve të tetëdhjeta – shkruan recensenti Adem Gashi, në parathënien e librit.

S`ka se si të ketë ndryshe, vijon tutje Gashi, pos faktit të talentit të rrallë, dijes, kulturës e përkushtimit, përjetimit të thellë dhe të mëvetësishëm, aftësisë vrojtuese dhe depërtuese deri në skutat më të thella të shpirtit njerëzor.

Libri ka një strukturë kompakte. Ndahet në katër njësi: Syri i ferrit, Kur e përplasin derën e qelisë, Do të vij me diellin në duar dhe Kur dola nga ferri, me gjithsej 66 poezi.

Atmosfera e vargjeve të Avdushit, pashmangshëm të nxit shoqërime idesh me atmosferën e Ferrit të Dantes.

Zaten, ferri dhe burgu janë aty-aty me cerberë, ujq e qen-ujqër, me gjarpërinj e hiena.

Derisa në librat e tjerë, autori Abdush Canaj na sjellë plot dritë e diell e lule e ngjyra, valle tropesh, figurash e metaforash, këtu loja e dritëhijeve është mezi e dukshme në labirintet e qelive.

Sepse, këtu ka një fajtor, një të pandehur për fajësi se dashka Nënën, Nënëloken, që i bie tagri i atdhedashurisë dhe i lirisë kombëtare.

Po a nuk na e tha që në krye të herës autori, në fjalën moto: Në një fije letre duhani, në qeli, shkruaj vjershën për Atdheun?…

‘Unë nuk e di se ç ‘fshehtësi mban laboratori krijues i Avdush Canajt, se ç`sjell e nesërmja e tij pas këtij libri, por e di se këtu na i dha shenjat e një horizonti para agimit të ri…’, nënvizon Gashi në vështrimin e tij për librin e fundit të këtij krijuesi, i cili njëherësh është autor edhe i dhjetrave veprave tjera, kryesisht për fëmijë. /Mediafokus.info