Azemi: Shkaku i kushteve të rënda, rreth 45 mijë punëtorë e të rinj u larguan nga Kosova sivjet

Largimi i qytetarëve nga Kosova po shndërrohet në një sfidë serioze për ekonominë dhe tregun e punës në vend.

Pagat e ulëta, kushtet e vështira të punës, mungesa e sigurisë dhe pabarazia në trajtimin e punëtorëve të sektorit privat po i shtyjnë shumë qytetarë të kërkojnë një të ardhme më të mirë jashtë vendit.

Përderisa kompanitë po përballen me mungesë të fuqisë punëtore, shqetësues mbetet edhe largimi i punëtorëve të kualifikuar, duke rrezikuar zhvillimin e bizneseve dhe ekonomisë së vendit.

Për këtë situatë ka ngritur shqetësimin edhe kryetari i Sindikatës së Sektorit Privat, Jusuf Azemi, i cili për Ekonomia Online ka kritikuar institucionet për mungesën e masave konkrete në mbrojtje dhe përkrahje të punëtorëve.

Azemi ka deklaruar se vetëm sivjet janë dikund rreth 45 mijë punëtorë dhe të rinj që e kanë lëshuar vendin.

Azemi ka ngritur shqetësimin edhe për trajtimin e pabarabartë të punëtorëve të sektorit privat në raport me ata të sektorit publik, duke theksuar se të parët nuk përfitojnë pagën e 13-të.

Ndërsa, ka bërë të ditur se vetëm gjatë këtij viti janë regjistruar 24 raste të vdekjeve të punëtorëve në vendet e punës në sektorin privat.

Azemi ka theksuar se punëtorët e sektorit privat kontribuojnë ndjeshëm në buxhetin e Kosovës.

Ai ka kritikuar dallimin në përkrahjen financiare nga Qeveria, duke thënë se për rreth 80 mijë punëtorë të sektorit publik janë ndarë mbi 60 milionë euro, ndërsa për mbi 200 mijë punëtorë të sektorit privat vetëm 10 milionë euro.

Përfaqësuesi i Sindikatës së Sektorit Privat të Kosovës ka shprehur shqetësimin për mungesën e punëtorëve të kualifikuar në vend, duke thënë se kjo po ndikon drejtpërdrejt në realizimin e projekteve të ndryshme.

Azemi shtoi se shumë kompani po përballen me mungesë të fuqisë punëtore, ndërsa punëtorët që po vijnë nga vende si Bangladeshi nuk kanë gjithmonë kualifikimet e nevojshme për të punuar me makineritë bashkëkohore.

Ai theksoi se sindikata do të vazhdojë të kërkojë përmirësimin e kushteve të punëtorëve, përfshirë rritjen e pagës minimale në 600 euro dhe ndarjen e pagës së 13-të për punëtorët e sektorit privat.

Ai ka theksuar se punëtorët e sektorit privat po detyrohen të punojnë në shi, borë dhe temperatura të ulëta, duke shtuar se po ndihen të diskriminuar sa i përket pagës së 13-të.

Sipas të dhënave të Institutit GAP, gjatë vitit 2025 shtetasve të Kosovës iu lëshuan 43 mijë e 747 leje të para të qëndrimit në vendet e Bashkimit Evropian. Prej tyre, 28 mijë e 566 u lëshuan nga Gjermania, e cila prin me numrin më të madh të lejeve, e ndjekur nga Italia me 3 mijë e 795 dhe Sllovenia me 3 mijë e 733 leje.

Kurse, rreth 99 për qind e lejeve të qëndrimit u lëshuan nga vetëm dhjetë shtete të BE-së./EO/