‘Baba ma bleu plisin e më tha tash ti je rritë…’

Krijuesi Sabit Rrustemi e ka përkujtuar babain e tij, në 26-vjetorin e vdekjes larg familjes, në gurbet, duke sjellë fotografinë e parë me të, kur ia kishte blerë plisin, për t`i dhënë mesazhin se tashmë ishte bërë burrë dhe duhej të kujdesej për shtëpinë.

‘Më mori me vete në Gjilan, ma bleu këtë plis që tash ruhet vetëm në këtë foto dhe më tha: Tash ti je rritë, e duhesh me nejtë n’shpi, me ngue nanën tane, k’ta t’mdhajtë, me u ba ma i miri n’shkollë…’

Asaj pranvere të atij viti (1969) mori rrugën e mërgimit, nga e cila nuk u nda, përderisa befas në gjumë, pabesisht iu shfaq vdekja dhe e mori në botën tjetër, pikërisht më 5 qershor 1995….

Kur u kthye pas gjashtë muajve, në një pushim dyjavor, një ditë pa udhëtuar për Vjenë të Austrisë, më mori me vete në Gjilan, ma bleu këtë PLIS që tash ruhet vetëm në këtë foto dhe më tha: Tash ti je rritë, e duhesh me nejtë n’shpi, me ngue nanën tane, k’ta t’mdhajtë, me u ba ma i miri n’shkollë… se unë q’atëherë t’due edhe ma shumë e t’bi shkamas kur t’vi apet…

Tanë kohën s’i kam hequr prej mendje k’to fjalë e s’di se si m’u kujtuan përsëri tash kur e pashë këtë fotografi, të cilën e publikoj në 26 vjetorin e mungesës së Tij …