Babai dhe djali shihen në gjyq pas dy vjetësh

Babë e bir janë përballur në gjyq pas dy vitesh ndërprerje komunikimi, tek ‘E Diela Shqiptare’. Fatmiri ka treguar se pas vdekjes së vëllait, ai mori përsipër të kujdesët për nipin të cilin e rriti dhe e shkolloi.

Tani nipi kërkon t’i marrë dhe shtëpinë, kurse fëmijët e Fatmirit nuk i flasin më sepse thonë që ka bërë më shumë për nipin e tij Gridin sesa për të.

Flori tregoi se me babain nuk flet dhe as ka për të folur.

‘Ti e vetmja gjë që bën merr në telefon kërkon lekë. Të gjitha ia ke dhënë tjetër njeriu’, tha ai.

Kurse babai Fatmiri e mohoi këtë: ‘Nuk ia kam dhënë fare, jam në procese gjyqësore. Nuk i kam dhënë gjë e ka zaptuar me dhunë, për këtë të jesh i bindur’, i tha ai të birit.

Por Flori këmbënguli se i ka dhënë Gridit çdo gjë.

‘Gridi është kushëriri im dhe djali i vëllait të babait. Gridit i ka gjetur punë, i jep lekë, rroba, i ka dhënë të gjitha gjërat. Blinte gjëra për në shtëpi dhe sa ikte nga Shqipëria ata ia vidhnin. Kur ktheheshin sërish në Shqipëri ata nuk i gjenin gjërat në shtëpi dhe babi thoshte hë mo s’ka problem i morën ata ia falim. Tani do t’ja japë dhe shtëpinë’.

Fatmiri: Unë po bëj atë që duhet. Ne kemi trashëguar një shtëpi nga babai, kur isha 14 vjeç kam mbajtur tulla dhe ia kam çuar ustait. Unë kam punuar me mish dhe shpirt për atë shtëpi, shtëpia ndodhet në qytetin e Durrësit. Ne ishim 3 vëllezër dhe 1 motër. Babai i bën nënës kontratë dhurimi që mos ta linte në mes të katër rrugëve. Nëna në momentet e fundit të jetës së saj se vdiq me kancer, ajo bën një kontratë dhurimi ku na i jep mua dhe vëllait Dervishit shtëpinë. Në këtë kohë në banesë jetonte edhe vëllai tjetër Agimi i ndjerë me bashkëshorten dhe djalin Gridi.

Fatmiri tregon se pas vdekjes së Agimit, vëllai i tij Dervishi mbylli me çelës dhomat që atij i takonin, ndërsa në pjesën tjetër të shtëpisë la nipin e tij Gridin me të ëmën. Fatmiri tregon se nuk mund ta nxirrte nipin jashtë e ta linte mes katër rrugëve. Madje ai thotë se ka investuar shumë për të që të studionte Juridikun.

Fatmiri: E kisha djalin e vëllait tim, ishte shpirti, kushdo do e bënte këtë, por ai doli i pabesë, tradhtar.

Flori: Kurse ne fëmijët e Fatmirit i kemi bërë vetë, nuk ka investuar për ne.

Fatmiri: Më kërkoi s’di sa euro më kërkoi dhe ia dhashë me qëllim që ai të vazhdonte shkollën.