Babai i të dyshuarve për nepotizëm në KEK shoqërohet me Konjufcën

Lidhjet e dyshuara të njerëzve të përfshirë në konkursin e dyshimtë për nepotizëm në Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK), çojnë deri tek Glauk Konjufca, njeriu i dytë i partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje.

Konjufca, kryetar i Kuvendit të Kosovës, është shfaqur në shoqërinë e Musli Shalës, një ish-zyrtari të Komunës së Obiliqit, dy djemtë e së cilit dyshohen për nepotizëm në procesin rekrutues të 128 punëtorëve në KEK.

Musli Shala, ish zyrtar i administratës komunale në Obiliq që po përballet me një aktakuzë për korrupsion, është babai i Ylli Shalës, kryetarit të Komisionit Intervistues të Punësimit në KEK.

Udhëheqësi i procesit të intervistimit në konkursin e korporatës, dyshohet se është përfshirë në punësimin e vëllait të tij, Leotrim Shalës, në pozitën teknik i energjetikës. Ylli Shala ka mohuar ndikimin e tij në punësimin e vëllait të tij.

Sikurse Ylli Shala, edhe babai i tij, Musli Shala, është mbështetës i Lëvizjes Vetëvendosje.

Një fotografi të cilën e ka siguruar Paparaci, shfaq ish-zyrtarin e Komunës së Obiliqit në shoqërinë e Konjufcës dhe deputetit të LVV-së, Halil Thaçi, në një tubim elektoral.

Shala, babai i dy djemve të punësuar në KEK, po gjykohet në Gjykatën Themelore në Prishtinë për veprën penale “Falsifikim i dokumentit zyrtar”.

Ai, dyshohet se në cilësinë e zyrtarit të gjendjes civile në Obiliq, ka shënuar të dhëna të rreme me qëllim që t’ia mundësojë një qytetari marrjen e dokumenteve personale të Republikës së Kosovës.

Procesi gjykues ndaj tij po vazhdon ende. Shala është deklaruar i pafajshëm në fjalën e tij para trupit gjykues. Ka mohuar akuzat e ngritura nga Prokuroria e Shtetit.

Vepra me të cilën ngarkohet Musli Shala është e dënueshme me burgim prej gjashtë muaj deri në pesë vjet.

Përfshirja e vëllezërve Shala nuk përbën rastin e vetëm të përfshirjes së njerëzve të afërt me Lëvizjen Vetëvendosje në aferën e punësimeve nepotiste në KEK.

Ndërmarrja Publike e KEK-ut, ka pasur edhe më herët punësime familjare, por kurrë në këtë nivel. Tashmë, njerëzit e Vetëvendosjes pos militantëve po punësojnë familjarët e tyre. Krejtësisht në mënyrë të hapur. Në kundërshtim me ligjin dhe Kodin Penal.

Shumë kandidatë që kanë pasur nga 80 pikë deri 100 pikë, nuk janë pranuar në punë me arsyetimin se gjatë intervistës verbale kanë dështuar. /Paparaci.com