Babë e bijë nga Gjilani spikasin fuqishëm në fushën e mjekësisë

Sabedin Sherifi

(Dr. Adelina Musliu, vajza e Dr. Ragip Musliut, me prejardhje nga Vërbica e Zhegocit, komuna e Gjilanit, po ndërton një karrierë të suksesshme në kardiokirurgji dhe në kërkimin shkencor)

Një emër i ri i mjekësisë po shfaqet në një prej fushave më të vështira dhe më të specializuara të profesionit mjekësor. Ajo është Dr. Adelinë Musliu, specialiste e kardiokirurgjisë, e cila profesionin e saj po e zhvillon në Tiranë, në fushën e kirurgjisë së zemrës.

Adelinë Musliu ka lindur në Gjilan. Studimet e Mjekësisë së Përgjithshme i nisi në Fakultetin e Mjekësisë të Universitetit të Prishtinës në vitin 2010 dhe i përfundoi në vitin 2016, duke fituar titullin Doktor i Mjekësisë.

Në vitin 2017 mori licencën për ushtrimin e profesionit.

Gjatë formimit akademik ka ndjekur edhe trajnime ndërkombëtare, përfshirë Shkollën Verore Ndërkombëtare për Vaksinologji në Antwerp dhe një program për ndihmën e parë dhe reanimimin kardiopulmonar.

Pas një periudhe pune si mjeke familjare në Fier, në prill të vitit 2019 ajo nisi specializimin në kirurgji kardiotorakale në Universitetin e Mjekësisë në Tiranë, duke vijuar programin pesëvjeçar në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”.

Sot, emri i Dr. Adelinë Musliut është pjesë e kirurgjisë kardiake në QSUT.

Ajo është gjithashtu anëtare e Kolegjit të Kirurgëve të Kosovës në fushën e kardiokirurgjisë, ndërsa regjistri i Odës së Mjekëve të Kosovës e evidenton si specialiste të kardiokirurgjisë.

Por puna e saj nuk ndalet te salla e operacionit.

Dr. Musliu është përfshirë edhe në veprimtari kërkimore dhe në publikime shkencore në fushën e kirurgjisë kardiake.

Një prej punimeve të saj të publikuara në vitin 2025 trajton kirurgjinë e valvulës së aortës te pacientët mbi 75 vjeç.

Studimi analizon rezultatet e ndërhyrjeve kirurgjikale dhe faktorët që lidhen me mortalitetin spitalor.

Adelinë Musliu është pjesë e ekipit shkencor të këtij studimi, së bashku me kirurgë të tjerë të Shërbimit të Kirurgjisë Kardiake të QSUT-së.

Një tjetër punim i vitit 2025, ku ajo është bashkautore, trajton përzgjedhjen e protezave në kirurgjinë e valvulës së aortës dhe ndryshimet në praktikën e këtij shërbimi gjatë një periudhe dhjetëvjeçare.

Studimi pasqyron ndryshimin e profilit të pacientëve dhe sfidat që lidhen me zgjedhjen e protezës së përshtatshme për zëvendësimin e valvulës së aortës.

Në vitin 2024, Adelinë Musliu ishte bashkautore edhe në punimin “Calcific Constrictive Pericarditis ‘Horseshoe’: Two Case Reports”, një raport mbi dy raste të rralla të perikarditit konstriktiv me kalcifikim në formë patkoi, të trajtuara kirurgjikisht në QSUT.

Veprimtaria e saj shkencore është shtrirë edhe në një forum ndërkombëtar të kirurgjisë kardiovaskulare.

Në programin shkencor të ESCVS 2025, Adelina Musliu figuron si bashkautore në një punim mbi trajtimin kirurgjikal të endokarditit infektiv te pacientët në hemodializë, në kuadër të ekipit të kirurgjisë kardiovaskulare të QSUT-së.

Edhe viti 2026 solli një tjetër publikim ku emri i saj figuron në ekipin autor.

Bëhet fjalë për një rast të rrallë të Tetralogjisë së Fallot me agjenezë të valvulës pulmonare dhe insuficiencë respiratore, një rast që përfshiu bashkëpunimin ndërmjet kirurgjisë kardiake në Tiranë dhe kirurgjisë kardiake pediatrike në Torino.

Këto publikime tregojnë një rrugëtim profesional që nuk kufizohet vetëm në praktikën klinike.

Adelina Musliu është përfshirë në trajtimin dhe studimin e rasteve komplekse të kirurgjisë së zemrës, duke marrë pjesë në punën shkencore të një prej shërbimeve të specializuara të kirurgjisë kardiake në Shqipëri.

Pas kësaj rruge qëndron edhe një histori familjare.

Babai i saj, Dr. Ragip Musliu, prej vitesh është anesteziolog në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës në Prishtinë.

Gjatë luftës së Kosovës, ai shërbeu si mjek i UÇK-së dhe dha kontribut në mjekimin e të plagosurve dhe të sëmurëve në Gollak dhe Karadak.

Por rruga e Adelinës është e saj.

Ajo e ka ndërtuar atë përmes studimeve në Prishtinë, specializimit në Tiranë, punës në kirurgjinë kardiake dhe pjesëmarrjes në kërkime shkencore.

Nga Prishtina, te specializimi në kirurgjinë kardiotorakale në Tiranë dhe nga salla e operacionit, te punimet shkencore për valvulat e zemrës, endokarditin, perikarditin konstriktiv dhe raste të rralla të kirurgjisë kardiake.

Kjo është rruga e Dr. Adelinë Musliut – një mjeke e re nga Kosova që po e ndërton emrin e saj në fushën e mjekësisë, një profesion që kërkon dije, përkushtim dhe përgjegjësi.

Dhe një histori familjare ku tradita e mjekësisë vazhdon nga një brez te tjetri. /Mediafokus