“Babë, m’ka marrë malli shumë për ty”
Abdylhaqim Ismaili, politikan, vendimmarrës e afarist i njohur në Gjilan, për shumë vite, ishte një zë unifikues në shoqërinë e këtushme.
Sot në përvjetorin e vdekjes së tij (29.01.1956-03.10.2009) atë e ka rikujtuar me fjalë mallëngjyese e bija e tij, Bedia Ismaili, duke thënë se i mungon shumë.
Abdylhaqim Ismaili, së fundi ka qenë zëvendëskryesues i Kuvendit Komunal dhe themelues i Partisë Demokratike Turke.
Ai vinte nga sfera e biznesit. Një kohë ka qenë drejtor gjeneral në ndërmarrjen “Morava e Binçës”.
Paraprakisht, para luftës ka themeluar dhe udhëhequr ndërmarrjet “Groting” dhe “Omega”.
Abdylhakimi ishte punëtor i dalluar, humanist i madh, njeri që ka dhënë kontribut të çmuar me iniciativa e veprime konkrete.
Ka ndihmuar qytetarët e të gjitha etniteteve. Shprehej i kënaqur me trajtimin e komunitetit turk në komunën e Gjilanit, ku turqishtja është gjuhë në përdorim zyrtar.
Ishte shok i mirë, i sinqertë e mbi të gjitha familjar i kujdesshëm.
Abdyli ka punuar shumë për Gjilanin, si në planin ekonomik, ashtu edhe në atë politik.
Ka ndihmuar e përkrahur financiarisht aktivitetet në sferën e kulturës, sportit dhe i ka ndihmuar nxënësit me pajisje shkollore.
Mbi të gjitha, Abdyli ishte njeri karizmatik, i hareshëm dhe humanist. /Mediafokus.info
