Baci Ramë ishte një shtëpi plot libra e gazeta

Sabedin Sherifi

Ndër familjet e rralla që ishin motivim për ne të rinjtë sa i përket ngritjes arsimore dhe kulturore, pa dyshim ishte familja Musliu nga Vërbica e Zhegocit.

Kjo familje, nga gjiri i saj ka nxjerrë kuadro të shumtë nga fusha të ndryshme të shkencës, si gjuhëtar, mjek, ushtarak, shkenca ekzakte, gazetari, shëndetësi, fusha të sigurisë e të tjera, ku ata kanë dhënë dhe japin kontributin e tyre.

Ndër familjet që më së shumti dha kuadro ishte familja e Ramiz Musliut.

Ramizi ishte i martuar me zonjën Fatime. Ata kishin një familje të madhe dhe ekzistencën e tyre kryekëput e mbështetësin në punët e bujqësisë dhe blegtorisë.

Baci Ramë, si e thërrisnin familja e gjerë, ishte një dashamir i edukimit dhe shkollimit të brezit të ri. Fëmijët e tij ishin shembull për shkollim dhe përparim.

Baci Ramë dhe zonja Fatime kishin lindur e rritur tetë fëmijë, shumica prej të cilëve kanë arritur  nivele akademike në shkollim, si në Filologji, Shkenca Natyrore, Akademi Ushtarake, Pedagogji, Mjekësi etj.

Shkollimi i tyre nuk ishte i lehtë për rrethanat e kohës pasi që Baci Ramë nuk kishte ndonjë pagë mujore dhe gjithë të mirat materiale i krijonte me shumë mund.

Fëmijët e tij ishin shembull për suksese në shkolla dhe fakultet.

Baci Ramë gjithmonë mbante me vete gazetën dhe ishte lexues i pasionuar i shkrimeve të kohës. Ndonëse nuk kishte bërë shkollë, ai kishte mësuar shkrim-leximin vetvetiu.

Të moshuarit e tjerë që nuk dinin shkrim dhe lexim apo edhe nuk i kuptonin shkrimet e gazetave, mblidheshin rreth tij dhe ai ua komentonte ndodhitë në vendin tonë dhe në botë.

Ai nuk përtonte që as neve si fëmijë të na lexonte shkrimet e shpeshta nga pjesëzat enciklopedike në gazetat e kohës. Vërtet ishte diçka shumë e këndshme dhe shumë kurioze të dëgjosh nga një i moshuar që lexonte aq bukur.

Ai ishte shumë kureshtar për ne që shkonim në shkolla dhe shpesh na pyeste mbi të arriturat apo edhe njohuritë që kishim, duke na testuar me pyetje shumë të vështira.

Njerëzit e njihnin si person shumë të urtë dhe shumë humanitar, sepse ndihmonte me aq sa mundte.

Shtëpia e tij ishte derëhapur për shumë njerëz, ajo ngjasonte në një shkollë pasi që të gjithë fëmijët e tij ishin në shkolla apo studime.

Unë si fëmijë kurrë nuk kisha parë aq shumë libra sikur në shtëpinë e Bacit Ramë. Aty pos që studiohej, kultivohej edhe dashuria për atdheun.

Librat e ndaluar të Ismail Kadaresë, Dritëro Agollit e shumë shkrimtarëve të tjerë, aty i gjenim dhe pa përtesë na i siguronin për t`i lexuar.

Baci Ramë ishte një patriot i madh pasi që edukimin dhe arsimimin e brezave të rinj e shihte si një mundësi të vetme për dalje nga errësira dhe robëria shekullore. Ai ishte ndër të parët që kishte shkolluar edhe vajzat e tij.

Ky ishte një shembull i mirë për të tjerët që duke përdorur maksimën e Sami Frashrit “të edukosh një mashkull, ke edukuar një person, kurse të edukosh një femër ke edukuar një komb” ai me këtë influenconte të tjerët për të edukuar edhe gjininë femërore duke marrë për bazë rolin e gruas në edukimin e familjes.

Rol kyç në ngritjen e familjes ka luajtur edhe e zonja e shtëpisë Fatimja. Ajo me gjithë vështirësitë ekonomike arriti të edukojë në frymën kombëtare fëmijët e saj.

Fëmijët e saj kanë dhënë dhe japin kontribut të rëndësishëm në zhvillimin dhe përparimin e brezave të rinj në institucione të arsimit nëpër shkollat të ndryshme të Gjilanit, siç është prof. Mejdi Musliu, prof. Remzi Musliu, pedagoge Zylfije Musliu.

Në fushën e çlirimit kombëtar nga pushtuesi serb, kontribut shumë të rëndësishëm ka dhënë ushtaraku, kolonel Shaban Musliu, i cili kishte mbaruar akademinë ushtarake në Sarajevë dhe me shpërbërjen e ish Jugosllavisë e braktisi ushtrinë dhe kaloi në migracion në Zvicër, ku u mor me organizimin e migracionit shqiptar rreth çështjes së çlirimit të Kosovës nga pushtuesi.

Fillimet e luftës në Kosovë, kolonelin e gjetën në vlugun e organizimit të rinisë shqiptare në emigracion. Me shumë të rinj, ai erdhi në vitin 1998 në frontin e luftës në Kosovë, në fillim në Drenicë e më vonë në Pashtrik.

Luftoi deri në çlirim të Kosovës, duke vazhduar pas luftës në ndërtimin e forcës së sigurisë.

Deri sa koloneli raportonte nga fronti i luftës në mediat e kohës, zonja Fatime krenohej me djalin e saj në front. Ajo këtë fakt nuk e fshihte në biseda me njerëzit, edhe pse kjo gjë ishte shumë e rrezikshme për kohën, pasi që serbët mund të hakmerreshin kundër familjes së tij e cila gjendej në Kosovë.

Për rininë e Vërbicës së Zhegocit, koloneli ishte një motiv shumë i madh për të marrë pjesë në luftën e çlirimit të Kosovës. Vërbica në luftë ka dhënë shumë dëshmorë në Kosovë dhe Maqedoni. Luftëtarët nga Vërbica e Zhegocit kanë marr pjesë në zonat si Karadak, Drenicë, Gollak, Pashtrik.

Ata sot shumica punojnë në ndërtimin e vendit në fusha të ndryshme.

Baci Ramë dhe zonja Fatime, sot të dy janë në amshim, por mbeten dy ikona të rëndësishme që dhanë shumë mund e sakrificë jo vetëm për familjen e tyre por për mbarë shoqërinë tonë.

Ne rrethi i gjerë familjar mbetet të kujtojmë dhe respektojmë këtë familje shumë të ndershme, me vlera të rralla, të bartura brez pas brezi./mediafokus.info