Bajrami demanton Muratin: Propagandë, pagat i keni rritë veç 6.80 euro
Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka publikuar një grafikon që sipas tij tregon “rritjen më të madhe ndonjëherë të pagave në sektorin publik”, e që siç thotë ai ka ndodhur në Qeverinë Kurti. Ministri Murati thotë se buxheti për pagat e rregullta i miratuar nga qeveria paraprake, për vitin 2021 ishte 625.8 milionë, e që ai thotë kur e krahason me atë të vitit 2025 është 916.8 milionë, Ministri shton se i bie që është rritur për 291 milionë.
Gjatë qeverisë Haradinaj, Ministri Murati thotë se shpenzimi i buxhetit për paga ishte rritur për vetëm 66 milionë, dhe se sipas tij shumica e kësaj rritje kishte shkuar për paga të kabinetit qeveritar, të gjyqtarëve e prokurorëve, dhe se pagat ishin rritur vetëm 4 për qind për zyrtarët publikë.
“Ata para nesh patën rritur buxhetin për paga për 130 milionë euro (64+66) për 6 vite qeverisje, kurse ne efektivisht e kemi rritur buxhetin e pagave të rregullta për 291 milionë euro për vetëm 4 vite”, shkruan Murati në Facebook.
Gjithë këtë e ka quajtur propagandë, deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, e cila ka thënë se po e provon një gjë të tillë një Ministër që i ka rritë pagat për sektorin publik në 6 euro e 80 cent.
Ajo i drejtohet Muratit se “qytetarët e dinë se kujt ia ke rritë rrogën 45 për qind”, duke përmendur kështu Kryeminisrin, ministrat e zëvendësminitrat.
“Ministri, që i ka rritë pagat në sektorin publik 6 euro e 80 cent brenda një mandati dhe 55 euro pasi janë shpallë zgjedhjet, sot paska provu prapë me propagandë.
Qytetarët e dinë kujt ja ke rritë pagën 45%, nëse ka harru dikush që po ua rikujtoj: 45% Hekurani ia ka rritë pagën Albinit, vetës, zavëndëskryeministrave, ministrave, zavëndësministrave, këshilltarëve politikë, asistetëve të kabineteve dhe shoferave të tyre”, shkruan mes tjerash Bajrami në Facebook.
Në reagimin e saj, deputetja thotë se përveç asaj që zyrtarëve publik u është rritur paga 6.80 euro, qytetarëve i është dyfishuar tatimi në pronë, gjithashtu edhe çmimi i energjisë elektrike si dhe ai i produkteve bazë të konsulmit.
“Zyrtarëve publik ju ka rritë pagën 6 euro e 80 cent, a të gjithë qytetarëve ju ka dyfishu tatimin në pronë, ju ka dyfishu çmimin e energjisë elektrike dhe ka kqyrë seri derisa çmimet e produkteve bazë të konsumit kanë fluturu në qiell dhe për këtë të fundit mos del me thanë se s’të ka lënë opozita e Gjykata Kushtetuese me bë diçka, sepse ju ka përgenjeshtru kryetarja e Gjykata Kushtetuese znj. Gresa Caka. Thjeshtë të kanë lëverdisë çmimet e larta se ke marrë shumë më shumë buxhet pa i rritë normat tatimore”, shkruan ajo.
“Në këtë fushatë veç nëse mundeni me bë diçka me këndim e recitim se rezultate s’keni, andaj merrja këngës edhe ti sikur Arbëria se kurrë si dihet ku e keni të fshehur talentin!Zyrtarët publik me 9 shkurt do të votojnë për Lidhjen Demokratike të Kosovës, numrin 124. Me qeverisjen e LDK-së, koeficienti i pagave do të bëhet 150 Euro, që në javën e parë”, ka shkruar deputetja e LDK-së në Facebook.

