Bajrami: LVV po e çon vendin drejt përmbysjes së rendit kushtetues
Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami, ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje po e çon vendin drejt përmbysjes së rendit kushtetues.
Ajo ka shkruar në Facebook, të dielën për bllokimin e Kuvendit të Kosovës pas tentativave të LVV për ta zgjedhur kryeparlamentare Albulena Haxhiun.
Bajrami ka thënë se aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese e ka bërë të qartë që deputetët votojnë sipas vullnetit të tyre.
“LVV po e çon vendin drejt përmbysjes së rendit kushtetues Në gjashtë seanca të hapura, Albulena Haxhiu ka dështuar të sigurojë votat e nevojshme për t’u zgjedhur kryetare e Kuvendit. Po ashtu, Lëvizja Vetëvendosje ka dështuar në 34 tentativa për të formuar komisionin për votim të fshehtë. Gjykata Kushtetuese ka sqaruar qartë se deputetët janë të lirë të votojnë sipas vullnetit të tyre e jo sipas direktivave të Albin Kurtit. Me 34 votime të dështuara, deputetët e kanë treguar hapur se janë kundër formimit të komisionit për votim të fshehtë, rrjedhimisht, kundër zgjedhjes së Albulena Haxhiut si kryetare e Kuvendit”.

