Banorët e lagjes Iliria kanë vendosur t`i fotografojnë e publikojnë ndotësit e ambientit

Hapësira e kontejnerëve të mbeturinave në lagjen Iliria është shndërruar në një mini-deponi, ku qytetarë të pandërgjegjshëm sjellin e shkarkojnë mbeturina të ngurta, metalike, kazanë të toaleteve, pemë e perime të kalbura e gjithçka tjetër.

Nuk është e qartë nëse këta ‘shkarkues’ i kryejnë ose jo obligimet e tyre ndaj kompanisë, e cila merret me grumbullimin e mbeturinave, apo për çfarë arsye tjetër i deponojnë mbeturinat larg vendbanimit të tyre, në një vend publik.

Banorë të lagjes Iliria kanë paralajmëruar se tash e tutje do t`i fotografojnë të gjithë ata që sjellin mbeturina me vetura e kamioneta në lagjen e tyre dhe do t`i bëjnë publik ndotësit e ambientit.

Njëri nga banorët e lagjes, Tahir Ibrahimi, ka bërë thirrje përmes rrjeteve sociale që të fotografohen ndotësit e ambientit.

“Nga sot ju të gjithë qe i takoni apo i shihni ndotësit e ambientit, banorë të lagjes apo jo të lagjes, ju lutem vetëm një foto bëjeni… Ne duhet ta ruajmë shëndetin nga njerëzit e pamoralshëm, të cilët po hedhin mbeturina në vend jo të duhur, edhe mbeturina të cilat nuk e kanë vendin këtu”, ka shkruar ai.

Banorët kanë falënderuar Drejtorinë e Shërbimeve Publike, e cila ka bërë largimin e mbeturinave të ngurta nga hapësira e parkimit në këtë lagje, meqë kompania përgjegjëse është e obliguar vetëm për grumbullimin dhe deponimin e mbeturianve të amvisërisë. /Mediafokus.info/