Baraliu: Deputetët e kanë obligim kushtetues të mundësojnë zgjedhjen e presidentit
Profesori i së Drejtës Kushtetuese, Mazllum Baraliu, ka thënë se partitë politike dhe deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë obligim kushtetues që të mundësojnë zgjedhjen e presidentit të vendit.
Baraliu në një interviste për Ekonomia Online, ka deklaruar se zgjedhja e presidentit kërkon bashkëpunim ndërmjet pozitës dhe opozitës, pavarësisht nëse kjo arrihet përmes një marrëveshjeje politike apo përmes respektimit të detyrimeve kushtetuese nga deputetët.
“Është e domosdoshme, obligative dhe imperative siç e thashë. Që të vetëdijesohet kjo klasë politike sidomos fituesi i zgjedhjeve, po hiq më pak as këta të tjerët të opozitës, që të bëhen bashkë edhe t’i bëjnë institucionet. Sa i përket Kuvendit dhe Qeverisë nuk ka problem, shumica e fituesit sepse i ka numrat. Ndërkaq për presidentin domosdoshmërisht do të duhet të bëhen bashkë. A bëhen me ndonjë marrëveshje për qeverisje të përbashkët? Apo ndonjë kompromis për ndonjë kandidat konsensual? Apo varianti i tretë që është po ashtu edhe obligimi i çdo deputeti nga kushtetuta që t’i formojë institucionet, që edhe partive politike obligimi i tyre pra që ta votojnë, të shkojnë të marrin pjesë në zgjedhje kur caktohet, në seancë kur caktohet zgjedhja e presidentit apo presidentes dhe ta votojnë, të jenë të pranishëm, të votojnë për, kundër ose abstenim. Mirëpo ta mundësojnë formimin e institucionit në këtë rast, institucionit të presidentit”, tha ai.
Sipas tij, vendimet e mëhershme të Gjykatës Kushtetuese e kanë bërë të qartë se deputetët janë të obliguar të marrin pjesë në seancat ku zgjidhen institucionet dhe të shprehin vullnetin e tyre me votë.
Baraliu shtoi se deputetët janë zgjedhur për të funksionalizuar institucionet dhe jo për të penguar krijimin e tyre.
“Pra është detyrë e tyre për formimin e institucioneve. Përndryshe, shtrohet pyetja, pse shkojnë, pse formohet Kuvendi, pse shkojnë deputetët në Kuvend? Çfarë bëjnë aty? Shkojnë në Kuvend për t’i formuar institucionet, shkojnë për të marrë pjesë, për të nxjerrë ligje, për të trajtuar ligjet një herë, dy herë, për të miratuar ligje. Pra, për t’i bërë funksionale institucionet e këtij vendi të kësaj republike. Prandaj është detyrë e tyre edhe pa marrëveshje, edhe pa ndonjë kompromis për ndonjë kandidat konsensual që thjesht t’i bëjnë institucionet”, tha Baraliu për Ekonomia Online.

