Basha si Pasha, e “rrëzon” vendimin e Gjykatës Kushtetuese në rastin e Rashiqit
Nenad Rashiq u zgjodh nënkryetar i Kuvendit vitin e kaluar në mënyrë jokushtetuese, tha Gjykata Kushtetuese. Sipas njoftimit, Lista Serbe, si partia që ka fituar sërish shumicën e votave të serbëve, duhet të përfaqësohet në Kuvend me një nënkryetar.
Kryeparlamentari Dimal Basha i gjeti menjëherë “gabime thelbësore” vendimit të Kushtetueses dhe tha se ai vetë e ka në dorë interpretimin përfundimtar të Rregullores së Kuvendit, jo Gjykata.
LVV-ja, siç paralajmëroi deputetja e zgjedhur Mimoza Kusari Lila, do të synojë që, pavarësisht këtij vendimi, ta shtyjë sërish Nenad Rashiqin drejt karriges së nënkryetarit të Kuvendit. Kjo mund të sjellë një ngërç të ri, që këtë herë mund të zhvendoset nga zgjedhja e kryetarit të Kuvendit, te zgjedhja e nënkryetarit nga komuniteti serb.
Gjykata Kushtetuese ka vendosur se zgjedhja e Nenad Rashiqit nënkryetar i Kuvendit në tetor të vitit të kaluar u bë në kundërshtim me Kushtetutën dhe Rregulloren e Punës së Kuvendit.
Në këto rrethana, Kushtetuesja nuk ka paraparë ndonjë “efekt prapaveprues”, por aktgjykimi do të jetë udhërrëfyes për konstituimin e Kuvendit tani, pas zgjedhjeve parlamentare të mbajtura më 28 dhjetor.
Kryeparlamentari Dimal Basha, i cili me t’u zgjedhur Rashiqi nënkryetar e kishte shpallur të konstituuar Kuvendin, nuk po e pranon këtë aktgjykim të gjykatës e cila është kontrolli më i lartë mbi pushtetin legjislativ dhe ekzekutiv në vend dhe arbitri më i lartë për interpretimin e dispozitave kushtetuese.
Njoftimit të Kushtetueses për aktgjykimin, Basha i gjeti “gabime thelbësore në interpretim”. Tha se ai vetë e ka në dorë interpretimin përfundimtar të Rregullores së Kuvendit, dhe jo Gjykata.
“E para, Gjykata Kushtetuese nuk ka mandat për t’i dhënë interpretime Rregullores së Kuvendit, sepse Rregullorja e Kuvendit është mëse e qartë, ku në nenin 16, paragrafin 4, shprehet tekstualisht se është Kryetari i Kuvendit ai i cili “bën interpretimin përfundimtar të saj gjatë seancës plenare.” Gjykata në rastin e sotëm nuk ka konstatuar shkelje kushtetuese, por ka intepretuar frymën e Rregullores së Kuvendit, për të cilën nuk ka mandat”, shkroi Basha mbrëmë, në krye të një reagimi në llogarinë e tij në Facebook.
Mimoza Kusari Lila, që ishte shefe e grupit parlamentar të LVV-së gjatë legjislaturës së fundit, mbrëmë sikur paralajmëroi një ngërç të ri, ndërsa foli për këtë vendim të Kushtetueses.
Ajo tha se “tashmë kemi disa aktgjykime që në njëfarë mënyre rregullojnë pothuajse çdo detaj të seancës konstituive të Kuvendit, por asnjë prej tyre nuk mund të imponojë vullnet politik”.
“Unë qëndroj pas mendimit se grupi ynë parlamentar nuk do të japë votë për deputetët nga Lista Serbe, derisa të shqyrtohen detajet e aktgjykimit të plotë dhe të përcaktohet mënyra e duhur për zgjedhjen e një përfaqësuesi, gjegjësisht, në rastin konkret, e vetmja zgjedhje për nënkryetar të Kuvendit nga komuniteti serb, deputeti Nenad Rashiq”, tha Kusari Lila në Tëvë1.
Kështu, konstituimi i Kuvendit, si hapi i parë për formimin e institucioneve të reja pas zgjedhjeve parlamentare të 28 dhjetorit, mund të mos jetë lehtësisht i kalueshëm.
Nëse këtë herë çështja nuk do të ngecë te zgjedhja e kryeparlamentarit, ngërçi mund të zhvendoset te zgjedhja e nënkryetarit nga radhët e komunitetit serb, pasi Kushtetuesja vendosi se kjo pozitë i takon partisë ose koalicionit që ka fituar shumicën e votave të serbëve. Kjo do të thotë se Lista Serbe do të duhej të përfaqësohej në Kuvend me një nënkryetar.
Rashiqi, i cili do të jetë i vetmi deputet serb që nuk vjen nga Lista Serbe, por nga Partia për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë, ishte votuar për nënkryetar të Kuvendit më 10 tetor të vitit të kaluar pasi asnjëri prej kandidatëve të propozuar nga Lista Serbe nuk kishte arritur t’i siguronte votat e nevojshme.
Më 11 tetor, një ditë pas zgjedhjes së Rashiqit, presidentja Vjosa Osmani e kishte mandatuar Albin Kurtin për kryeministër, por ai, sikurse edhe Glauk Konjufca më pas, kishin dështuar ta siguronin shumicën e nevojshme në Kuvend për zgjedhjen e qeverisë së re.
Osmani e kishte shpërndarë Kuvendin më pas dhe i kishte shpallur zgjedhjet e reja parlamentare, që u mbajtën në fund të vitit./Gazeta Express

