Bashkëshorti i mësueses: Zonja ime ka ikur nga pakujdesia në mjekim
Bashkëshorti i 46-vjeçares Anila Bazelli, e cila ndërroi jetë një ditë më parë në spitalin e Pogradecit, thotë se ajo ishte me shëndet të mirë kur u dërgua në spital.
“Ka mbërritur me këmbët e saja, me tension normal. 10 minuta pas gjilpërës ajo mbaroi direkt. Nuk ka pasur sëmundje të tjera vetëm pak probleme me astmën. Për të tjerat presim organet e drejtësisë”, tha Luan Bazelli.
“Janë organet qe po merren me çështjen, di që zonja ime ka ikur nga mjekimi, pakujdesia”.
Duke qenë se familjarët kanë akuzuar mjekët, autopsia për të përcaktuar shkaqet e vdekjes do të kryhet nga ekspertë nga Tirana, nisur edhe nga pretendimet e familjarëve. Për çështjen po hetojnë edhe autoritetet.

