BE pret që Qeveria e re e Kosovës ta ketë prioritet dialogun

Përveç që zhvillimet e brendshme në Kosovë do të ndikohen nga rezultati i zgjedhjeve të 14 shkurtit, Bashkimi Evropian po analizon edhe ndikimet që mund të ketë ky rezultat në vazhdimin e dialogut midis Kosovës dhe Serbisë, që lehtësohet nga blloku evropian.

Në parim, në BE vazhdojnë të thonë se “nuk na takon ne të caktojmë se kush do të jetë përfaqësues i palëve në dialog” dhe se për bllokun evropian është i pranueshëm kushdo që emërohet nga institucionet e Kosovës.

Por, duke pasur parasysh se fituesi i zgjedhjeve duhet ta përkthejë këtë fitore në krijimin e institucioneve të reja, atëherë edhe BE-ja do të presë dhe nuk planifikon ndonjë takim të radhës derisa të mos sqarohen gjërat rreth krijimit të Qeverisë së re të Kosovës.

Se BE-ja pret që dialogu të jetë ndër prioritetet kryesore, u pa edhe në reagimet e para nga Brukseli zyrtar pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të së dielës.

Në një komunikatë të përbashkët, të lëshuar nga Përfaqësuesi i lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell dhe Komisioneri për Zgjerim dhe Fqinjësi, Oliver Varhelyi, përmendet dialogu si një nga çështjet për të cilat presin angazhim konstruktiv të qeverisë së re.

“Rruga evropiane e Kosovës po ashtu shkon edhe përmes normalizimit gjithëpërfshirës të raporteve me Serbinë dhe BE-ja pret nga autoritetet në Prishtinë që të angazhohen në mënyrë konstruktive, me qëllim të vazhdimit të takimeve në dialogun e lehtësuar nga BE-ja dhe ta shfrytëzojnë rastin që kanë përpara për të arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse”, thuhet në komunikatë.

Disa diplomatë evropianë në Bruksel, që janë kontaktuar nga Radio Evropa e Lirë, kanë thënë se “janë në dijeni për deklaratat e liderit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti lidhur me prioritetet e tjera, që janë më të rëndësishme sesa dialogu”, por kanë shtuar se pavarësisht kësaj, presin që qeveria e re të fokusohet po ashtu në procesin e dialogut, sepse sipas tyre, bashkësia evropiane është shprehur se “status quo-ja nuk është e qëndrueshme”./rel/