Bekim Jashari reagon pas sulmit ndaj Albin Kurtit në Skënderaj
Kryetari i Komunës së Skënderajt, Bekim Jashari, ka reaguar pasi një grup qytetarësh kanë penguar kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, të mbajë një tubim elektoral në këtë qytet.
Jashari, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se jetojmë në kohën e pluralizimit politik, ku secili ka të drejtë të shprehë bindjet e tij politike.
“Komuna që unë udhëheq, është e të gjithë shqiptarëve që ia duan të mirën vendit, andaj secili nga ta është i lirë dhe i mirëseardhur kurdo dhe pa asnjë brengë”, ka shkruar Jashari.
Postimi i plotë:
“Të dashur qytetarë,
Jetojmë në kohën e pluralizmit politik, në kohën e demokracisë liberale, ku mendimi i lirë politik, bindja politike është e drejtë fundamentale dhe e garantuar me ligj.
Secili nga Ne ka të drejtë të shprehë bindjet e tij politike e partiake, në menyrë demokratike kudo në Kosovë”.
Shoqëria jonë, bazuar në sfidat e së kaluarës, më së miri i di dhe i vlerëson liritë dhe të drejtat e njeriut.
Komuna që unë udhëheq, është e të gjithë shqiptarëve që ia duan të mirën vendit, andaj secili nga ta është i lirë dhe i mirëseardhur kurdo dhe pa asnjë brengë.
Për këtë kam punuar dhe do të vazhdoj të punoj pa rreshtur.”

