Berlin: Një mësuese vdiq dhe disa nxënës janë lënduar kur vetura goditi turmën

Një mësuese u vra dhe 14 nxënës u plagosën pasi një makinë goditi një turmë në një rrugë të frekuentuar në kryeqytetin gjerman, Berlin.

Grupi ishte në një udhëtim shkollor në kryeqytetin gjerman, nga shteti i Hesse. Po ashtu raportohet se  një mësues i dytë u plagos rëndë.

Policia thotë se drejtuesi i mjetit, një 29-vjeçar, u arrestua në vendngjarje.

Ministrja e Punëve të Brendshme të Berlinit, Iris Spranger, tha se provat sugjeronin se shoferi ishte një “person i sëmurë mendor që po turbullohej”.

Incidenti ndodhi në zemër të Berlinit perëndimor, në një nga rrugët e tij tregtare më të frekuentuara.

Gruaja që vdiq është identifikuar si një mësuese shkolle e cila ishte në një udhëtim me një klasë adoleshentësh nga shteti qendror i Hesse. Policia e Berlinit thotë se ajo vdiq në vend.

“Ka njerëz të plagosur rëndë në mesin e më shumë se një duzinë të plagosurve”, tha zëdhënësi i policisë Thilo Cablitz, transmeton klani.

Kryebashkiaku i Bad Arolsen, Marko Lambion, deklaroi se një autobus ishte në rrugë për të marrë fëmijët nga Berlini. “Ne po bëjmë gjithçka që mundemi për t’i sjellë ata në shtëpi,” tha ai në konferencën për shtyp.

Shoferi ka dy shtetësi – gjermane dhe armene, dhe jeton në Berlin. Raportet e mëparshme se ai kishte lënë një shënim në makinën e tij u mohuan nga zyrtarët.

Dëshmitarët përshkruan se kishin parë një Renault Clio të argjendtë duke u futur në një turmë njerëzish në trotuar pranë rrugës tregtare të ngarkuar Kurfürstendamm të Berlinit, para se të shkonte përsëri në rrugë dhe të përplasej me një vitrinë dyqani.