Besa: Nuk mund të këndoj kur populli im vuan

Këngëtarja e njohur shqiptare është tërhequr nga festivali “Kënga magjike”, meqë siç ka thënë “nuk mund të këndoj kur populli vuan nga tragjedia natyrore.

Besa Kokëdhima njoftoi fansat e saj në rrjetet sociale se do të tërhiqet nga “Kënga Magjike”, ku mungoi 6 vjet.

“Të dashur miq, me keqardhje ju njoftoj se në këtë kohë tragjedie, pikëllimi dhe paniku, e kam të pamundur të performoj më datë 5 – 7 dhjetor në “Kënga Magjike”. Zemra ime është e ngarkuar me dëshpërim dhe vuajtje për ata që nuk janë më, andaj më duhet të tërhiqem zyrtarisht nga “Kënga Magjike 2019”, ka shkruar ajo.

Më tej, ajo shprehet: Jam e bindur që “Kënga Magjike” do të bëjë një punë të lavdërueshme për të kontribuar në mënyrën e saj për të prekurit, por unë do jap në heshtje ndihmën dhe kontributin tim për të lehtësuar sado pak dhimbjen e tyre dhe respektuar humbjet e pashlyeshme të tyre.

Njoftimin e saj për këtë vendim, Besa e mbyll duke u kërkuar falje fansave të vetë. “Kërkoj ndjesë fansave të mi të cilët prisnin paraqitjen time dhe falënderoj organizatorët dhe Ardit Gjebrea për gjithçka që kanë bërë për mua dhe kolegët e mi”- shkruan këngëtarja, transmeton Ballakn Web.

Menjëherë pas kësaj ka reaguar Ardit Gjebrea. Moderatori me anë të një komenti shprehet se këtë vit “Kënga Magjike” do të vijë me një kauzë dhe misioni i saj do të jetë “këndoj për të ndërtuar”.

“Besa e dashur, të thashë që “Kënga Magjike” këtë vit do të ketë misionin “këndoj për të ndërtuar dhe të gjithë bashkë do kontribuojmë për ata që kanë nevojë. Kemi vendosur që me të ardhurat nga biletat të ndërtojmë një shtëpi. Secili bën atë që ndjen, të gjithë artistët janë bashkë këtë herë për të ndërtuar. Të lutem mos mungo! Të gjithë ndiejmë dhimbje, por të gjithë bashkë mundemi. Edhe artistët e huaj kanë ardhur për këtë kauzë! Të presim!”, i kundërpërgjigjet reagimit të saj Ardit Gjebrea.

Besa njihet si këngëtare me ndjeshmëri të madhe.