Besfort Shala përfundon doktoratën në matematikë në Universitetin e Bristolit
Matematikani kosovar Besfort Shala ka përfunduar me sukses doktoratën në Shkollën e Matematikës në Universitetin e Bristolit, në Mbretërinë e Bashkuar.
Lajmi është bërë i ditur nga Shoqata e Matematikanëve të Kosovës, e cila e ka vlerësuar këtë arritje si një sukses të rëndësishëm për komunitetin matematikor në vend.
Shala, i cili më parë ka përfunduar studimet master në Universitetin e Oksfordit, e ka orientuar hulumtimin e tij doktoral drejt ndërthurjes së teorisë së numrave me teorinë e probabilitetit, dy fusha të rëndësishme të matematikës bashkëkohore.
Kërkimi i tij trajton analogjitë probabilistike të disa problemeve të njohura në teorinë e numrave, përfshirë çështje që lidhen me Hipotezën e Riemann-it dhe problemin e ekzistencës së pafundësisht shumë çifteve të numrave të thjeshtë binjakë. Në fokus është studimi i shumave të funksioneve multiplikative të rastësishme dhe vlerësimi i shpërndarjes së tyre.
Sipas Shoqatës së Matematikanëve të Kosovës, metodat probabilistike të përdorura në hulumtimin e tij kanë sjellë edhe rezultate konkrete shkencore, ndër to një rezultat rekord në problemin e ekzistencës së polinomeve me masë të madhe të Mahler-it. Punimet e tij janë botuar në revista shkencore ndërkombëtare, përfshirë Transactions of the American Mathematical Society.
Përtej veprimtarisë akademike dhe kërkimore, Shala ka kontribuar edhe në zhvillimin e matematikës në Kosovë. Ai ka qenë lider i ekipit kosovar në Olimpiadën Matematike Ndërkombëtare (IMO), duke ndihmuar në përgatitjen dhe mbështetjen e të rinjve që përfaqësojnë vendin në garat ndërkombëtare.
Shoqata e Matematikanëve të Kosovës e ka vlerësuar gjithashtu për bashkëpunimin dhe përkushtimin e tij ndër vite ndaj komunitetit matematikor, veçanërisht në mbështetjen dhe frymëzimin e gjeneratave të reja.
Përfundimi i doktoratës në Bristol shënon një tjetër etapë në rrugëtimin akademik të Besfort Shalës, i cili krahas kërkimeve shkencore ka ruajtur lidhjet me komunitetin e matematikanëve në Kosovë.

