Besnik Hasi e refuzoi timonin e Kombëtares së Shqipërisë, zgjodhi Anderlehtin
Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit (FSHF), Armand Duka ka dalë në një konferencë për shtyp gjatë ditës së sotme (e premte) duke prekur një sërë çështjesh sa i përket të ardhmes së bankinës kuqezi, përcjellë tetovasot.
I pari i FSHF-së ka treguar fillimisht se pse kontrata e përzgjedhësit Sylvinho ishte deri në qershor dhe jo deri në mars.
Më pas, Duka zbuloi se si bankina i është ofruar ish-legjendës shqiptare, Besnik Hasit, por ky i fundit u tërhoq duke zgjedhur të drejtonte Anderlechtin.
“Në fakt, mbase kontrata në fillimin e saj duhej të ishte në përfundim të ndeshjeve të Play-Off. Ne kishim rënë dakord deri në dhjetor. Nuk mund të bënim një kontratë deri në mars, do të ishte demotivuese edhe për skuadrën. Deshëm të përçonim një mesazh që mund të shkojmë në Botëror, ndaj kontrata është deri pas përfundimit të Botërorit”, ka thënë fillimisht Duka.
“Trajner shqiptar? Kam ofruar realisht të paktën një herë, i cili ka qenë Besnik Hasi. Në momentin e fundit kur ishim në finalizimin e kontratës, Besniku u tërhoq sepse ia ofroi Anderlechti. Padyshim e kam menduar dhe padyshim e mendoj”.
“E para i kam ofruar trajnerit aktual nëse ka dëshirën për të vazhduar, pastaj janë edhe kushtet nëse kënaqen palët. Kjo gjë do të ndodhë para se të vijnë ndeshjet e qershorit”, përfundoi i pari i FSHF-së.

