Biden shfuqizon bllokimin e aplikantëve për “Green Card”

Presidenti Joe Biden ka kthyer mbrapsht një seri urdhrash ekzekutivë të firmosur nga paraardhësi i tij Donald Trump, përfshirë atë që u bllokonte aplikuesve për kartën e gjelbër hyrjen në Shtetet e Bashkuara.

Trump e mori këtë vendim vitin e kaluar me argumentin se nevojitej për të mbrojtur punëtorët amerikanë, në një kohë kur papunësia ishte rritur për shkak të pandemisë së coronavirusit.

Por Biden e refuzoi këtë arsyetim me një vendim që shfuqizon ndalimin e vizave për aplikantët. Ai deklaroi se, kjo masë kishte penguar familjet të bashkoheshin në Shtetet e Bashkuara dhe kishte dëmtuar bizneset amerikane.

Zhbërja e kësaj dhe politikave të tjera vjen në një kohë kur presidenti i ri po përpiqet të çojë përpara agjendën e tij, për të eliminuar trashëgiminë e Trump.