BIK: Nuk do të falet namazi i sabahut në xhami në ditën e Kurban-Bajramit
Bashkësia Islame e Kosovës (BIK), shkaku i pandeminë COVID-19, ka marrë disa vendime lidhur me festën e Kurban Bajramit, që bie këtë të premte.
Sipas këtij vendim, Namazi i Sabahut nuk do të falet në xhami në ditën e Kurban Bajramit, por falja e namazit të Kurban Bajramit do të bëhet në orën 06:03 minuta dhe xhemati do të prezantojë në xhami 10 minuta para faljes së namazit të Kurban-Bajramit.
BIK po ashtu ka njoftuar se për hir të ruajtjes së shëndetit, që në këtë rast është parësor, të mos ketë vizita te njëri-tjetri ditëve të Kurban-Bajramit.
Njoftimi i plotë i BIK-ut:
V E N D I M
1. Nuk do të falet namazi i sabahut në xhami në ditën e Kurban-Bajramit
2. Falja e namazit të Kurban-Bajramit do të bëhet në orën 06:03 min.
3. Xhemati do të prezantojë në xhami 10 minuta para faljes së namazit të Kurban-Bajramit
4. Ligjërata (hutbeja) e Kurban-Bajramit nuk duhet të zgjasë më tepër se 10 minuta, ndërsa hutbeja e ditës së xhuma nuk duhet të zgjasë më tepër se 5 minuta
5. Personat zyrtarë të BIK-ut dhe xhemati i xhamive t’u përmbahen me përpikëri rekomandimeve të Bashkësisë Islame të Kosovës, për mbrojtje nga përhapja e virusit:
a. Dezinfektimi i duarve
b. Bartja e maskës
c. Mbajtja e distancës fizike (brenda dhe jashtë xhamisë)
d. Kufizimi i numrit të besimtarëve në xhami në 50 persona (ose më pak, varësisht prej hapësirës së xhamisë)
e. Mosshfrytëzimi i tualeteve, abdeshaneve dhe banjove të përbashkëta në oborret e xhamive
f. Xhemati të marrin sexhade me vete (jo domosdoshmërisht)
g. Të mos prezantojnë në xhami personat e moshave mbi 65-vjeçare dhe ata nën moshat 16-vjeçare, si dhe personat me sëmundje kronike, ata që kanë simptoma të virusit dhe çdokush tjetër që dyshon se mund të infektohet nga prezenca në xhami
h. Mosshtrëngimi i duarve me njëri-tjetrin me rastin e përshëndetjes dhe të urimit të bajramit
i. Moskrijimi i turmave të njerëzve dhe shpërndarja e menjëhershme e xhematit pas hutbes së Bajramit
j. Mosorganizimi i pritjes për nder të festës së bajramit në selinë e BIK – ut, e as në selitë e këshillave lokalë
k. Për hir të ruajtjes së shëndetit, që në këtë rast është parësor, të mos ketë vizita te njëri-tjetri ditëve të Kurban-Bajramit.

