Nazmi Hoxha nderohet me çmimin ‘Hasan Prishtina’ për kontributin e dhënë çështjes kombëtare

Familjes së Nazmi Hoxhës në Cërnicë të Gjilanit iu dorëzua solemnisht Urdhri ‘’Hasan Prishtina’’, në shenjë nderimi për kontributin e dhënë çështjes kombëtare, i nënshkruar nga Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi.

Në emër të Presidentit të Republikës së Kosovës, urdhrin “Hasan Prishitna’’ familjes Hoxha ia dorëzoi këshilltari Ismail Syla, ndërsa e pranoi gruaja Ziaverja dhe fëmijët e Nazmiut.

Vajza e vogël e Nazmiut, Festa shprehet thellësisht mirënjohëse ndaj Presidentit Thaçi dhe e falënderon në emër të familjes Hoxha, për këtë vlerësim.

“Jemi të lumtur që i pari i vendit po i vlerëson personalitetet që kontribuuan për çështjen kombëtare”, ka thënë Festa.

Po kush ishte Nazmi Hoxha (5.12.1951-3.08.2001)?

Nazmi Hoxha i dha shumë këtij vendi, gjithçka nga vetja e tij. Deri në frymën e fundit të jetës nuk u ndal asnjëherë së vepruari, me të vetmin qëllim që Kosova të jetë e lirë.

Si anëtar i një familje patriotike (babai i tij ishte luftëtar i dalluar në luftën e Kitkës), Nazmiu ishte rritur dhe edukar pranë atdhetarëve Ramiz Cërnica, Kadri Halimi, Raif Hoxha e shumë patriotëve tjerë të dëshmuar nga familja Hoxha e fshatit Cernicë të Gjilanit.

Nazmiu si i ri u shqua për guximin, dashurinë dhe vizionin që kishte për Kosovën dhe Shqipërinë. Nga mosha 18-vjeçe, për 13 vite rresht punoi pa u ndalur për çështjen kombëtare në ilegalitet, derisa u burgos.

Nazmi Hoxha me shokë ishte ai që shpërndau traktet e para në rrethinën e Gjakovës e me pas në Maqedoni e në vendet tjera. Punën e bënte me guxim, pa ju trembur syri, madje shpeshherë duke shpërnda pamflete natë e ditë.

Kur filloi punën si mësimdhënës në shkollën e fshatit, qarqet e caktuara të okupatorit serb e hetojnë dhe e burgosin. Dënohet me 15 vite burgim të rëndë, si organizator dhe udhëheqës i grupit të Gjilanit në demonstratat e vitit 1981, me akuzën se kishte kërkuar Republikën e Kosovës dhe prishjen e Jugosllavisë së atëhershme.

Për disa ditë e mbajnë në vetmi, pa e regjistruar fare si të e burgosur. Nga torturat e shumta që i ishin bërë, në takimin e parë me familjaret, ai nuk pati forcë as t`i përshëndeste ata, por vetëm kishte ngritur dorën 3 herë në shenjë pohimi se do ta dënojnë me 15 vite burg.

Nazmi Hoxha i vuajti  9 vite, 14 ditë dhe 14 orë burgim.

Gjatë kohës sa qëndroi në burg, përjetoi tortura çnjerëzore. Në burgun e Gjilanit e rrahën aq shumë gjatë hetimeve sa që gardianët e qonin në këmbë dhe e kthenin në qebe. Këto tortura zgjatën plot 36 dite, saqë Nazmiu i humbi 42 kilogramë.

Në burgun e Leskovcit kishte fjetur 18 ditë në dërrasa, ndërsa për 9 muaj e kishin mbajtur në qeli. Familjarët thonë se nuk e kishin njohur kur e panë.

Në burgun e Pozharevcit e mbajtën 4 muaj në një dhomë me minj të mëdhenj, sa që detyrohej të mbulonte kokën me pluhur. Edhe gardianët habiteshin kur ia qonin bukën se si po mbijetonte në atë mjedis.

Në burgun e Leskovcit e vuajti një grevë urie prej 18 ditësh dhe më pas e transferuan në burgun e Titovo Uzhices ku ishte i vetmi shqiptar. Aty e vendosen në dhomë me një kriminel serb, që e kishin dërguar me qëllim të caktuar për ta mbytur. Këtë ia kishte thënë vetë i burgosuri serb, pasi Nazmiu kishte treguar  sjellje të mira me të dhe i kishte treguar arsyen pse ndodhej në burg.

Kur po bëhej gati të dilte nga burgu, shefi i burgut e pyet se a po gëzohej që po lirohej, ndërsa Nazmiu i përgjigjet: ”Jo, sepse po dalë nga një burg i vogël dhe po shkoj në një burg të madh”. Ndërsa pyetja tjetër ishte se a do të punosh prapë për Kosovë, ndërsa Nazmiu ia përgjigjet se do të punojë deri në frymën e fundit.

Ai, edhe pas burgut punoi për kauzën kombëtare, duke u bërë nismëtar, me shumë shokë, të organizimit të popullit në luftë kundër pushtuesit.

Në vitin 1991, Nazmiu ishte pjesëmarrës i vetëm nga Gjilani, bashkë me Hydajet Hysenin, në mbledhjen e cila u mbajt në fshatin Ujmir të Klinës, në rrethana krejt ilegale nga pushtuesi serb, ku u zotuan të punojnë për organizimin e radhëve të ushtrisë çlirimtare të Kosovës, sepse armiku vetëm me armë mund të mposhtet. Nazmiu ishte ndër ideatorët e krijimit të radhëve te para të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Për t’i ndihmuar radhët ilegale, Nazmiu dha gjithçka nga vetja, në Kosovë dhe Shqipëri, ashtu që e shiti edhe pesëlirëshin e gruas, e shiti edhe arën më të mirë që kishte dhe grumbulloi para edhe nga shokët tjerë, për të blerë armatim. Krah të djathtë e kishte shokun e tij, Xhevat Qerimin.

Gjatë kohës sa qëndroi në Shqipëri, forcat serbe e kërkuan që ta arrestojnë përsëri e sidomos pas rënies së grupit të Bajrush Xheajlit, në vitin 1994.

Shtëpia e Nazmi Hoxhës në Durrës u bë çerdhe e takimeve të shumë bashkatdhetarëve, ushtarëve e komandantëve të UÇK-së dhe familjeve të përndjekura nga armiku. Të gjithë gjenin strehim dhe përkrahje të madhe te Nazmi Hoxha.

Në shtëpinë e tij qëndruan figura emblematike të UÇK-së, si Azem Syla, Fehmi Lladrovci, Agim Ramadani e shumë të tjerë. Madje, bashkëshortja e Nazmiut tregon për respektin që kishte Agimi ndaj bacës Nazmi, siç e quante ai dhe e kujton takim e fundit, para se të nisej drejt Kosovës, kur u konsultuan për hapat e mëtejmë.

Nazmiu mbante kontakte edhe me struktura dhe funksionarë të lartë shtetërorë të Shqipërisë, që nga ish-presidenti Ramiz Alia, kryeministri Aleksandër Meksi, kryetari i Kuvendit, Pjetër Arbnori e deri te kryetarë Bashkish e komandantë lokalë të policisë në Krujë e Lezhë.

Natyrisht, të gjitha kontaktet kishin një qëllim, të përkrahen dhe ndihmohen strukturat e UÇK-së, për t`u strehuar, stërvitur dhe furnizuar me armatim ,duke u ndihmuar nga shteti shqiptar.

Nazmiu, kishte jetë te shkurtër, por bëri vepra të mëdha!

Pas vdekjes së Nazmiut, në Gjilan u organizuan dy Akademi përkujtimore në nderim të veprës së tij. Më 17 korrik 2015, kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri, bashkë me kuvendarët, vendosen unanimisht që shkolla e Mesme e Ulët në lagjen e tetë, të mbajë emrin e atdhetarit dhe patriotit Nazmi Hoxha.

Shoqatat e veteranëve në Gjilan, post mortun i ndau titullin ‘veteran’ për kontributin e dhënë në organizimin e  UÇK-së. Me mirënjohje post mortun e nderoi për veprimtari kombëtare edhe Ali Ahmeti nga Maqedonia.

Jeta e Nazmiut ishte e mbushur përplot me aksione e veprimtari, andaj ky patriot i madh meriton të radhitet krahas bashkëveprimtarëve të tij, si Kadri Zeka, Rexhep Mala, Agim Ramadani e shumë të tjerë që sot prehen në panteonin e lirisë. /mediafokus.info