Rexhep Mala e Nuhi Berisha, flakadanë të qëndresës dhe idealit kombëtar

Bajram Berisha

Mesnata e 11-12 janarit të vitit 1984, ishte natë e kobshme jo vetëm për familjet Mala dhe Berisha, por për të gjithë liridashësit e kombit shqiptar, ngase në përleshje me milicinë gjakatare serbe, në një rezistencë të padëgjuar deri më atëherë, në Kodrën e Trimave në Prishtinë, bien heroikisht në altarin e lirisë dy vizionarët dhe ideatorët e Komitetit Revolucionar të Organizatës Studentore për Çlirimin e Popullit Shqiptar: Rexhep Mala e Nuhi Berisha.

Lindur e rritur në familje të shquara me përkushtim atdhetar e liridashës, të kalitur dhe të gatshëm përherë për sakrificë dhe me aftësi të jashtëzakonshme për çështje organizative, ata ishin kolosët e zhvillimeve dhe organizimeve ilegale kombëtare për çlirim dhe pavarësi nga zgjedha e robërisë dhe mendësisë së Doktrinës Politike Komuniste të Kumrovcit dhe satrapit Tito si dhe të strukturave gjakatare serbo-jugosllave.

Rexhep Mala dhe Nuhi Berisha përherë do të mbesin flakadanët e qëndresës dhe idealit kombëtar, frymëzim i brezave, udhërrëfyes i përpjekjeve dhe rezistencës së armatosur të shumë djemve e vajzave që kapën armët dhe i dolën në ballë armikut shekullor nën amblemën e lavdishme të UÇK-së për lirinë e shumë-kërkuar për breza të tërë.

Për aktivitetet atdhetare, sakrificën, virtytet, trimërinë e lavdinë e Rexhep Malës e Nuhi Berishës flasin shokët e idealit, kurse neve familjarëve na mbetet “malli i pashuar dhe dhimbja krenare”./Mediafokus.info