Bislimi: Asociacioni në Kosovë do të bëhet në përputhje me Kushtetutën

Kandidati për deputet i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Faton Bislimi, tha se është optimist për rezultatin e zgjedhjeve dhe se nuk u beson sondazheve.

Sipas tij, çdo premtim i bërë nga LDK-ja deri më tani është mbajtur dhe nuk ka sesi Kosova të dalë humbëse nga çfarëdo marrëveshjeje të nënshkruar në Shtëpinë e Bardhë.

“Unë e kam thënë dhe vazhdoj ta them që edhe për LDK-në, dhe për mua, do të jetë esenciale që Asosacioni i Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë, nëse bëhet, ai mund të bëhet vetëm në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet në Kosovë”, tregoi Bislimi.

Marrëveshja e Uashingtonit ose njohja nga Izraeli, që kanë ndodhur gjatë kohës së qeverisjes së LDK-së, janë çështje që janë kundërshtuar shumë nga Lëvizja Vetëvendosje.

“Sot jemi në një situatë që fare qartë i hedh në shesh këto të pavërteta të oponencës tonë politike, Lëvizjes Vetëvendosje. E para, njohja e Izraelit ndodhi dhe letra e z. Biden dërguar z. Vuçiq tanimë tregon qartë orientimin e Shteteve të Bashkuara”, tha Bislimi.

Ndërkohë sa i takon letrës që Bideni pritet të dërgojë në Kosovë për pavarësinë në 17 shkurt, Bislimi pohoi se çdo kërkesë që do drejtohet do të merret shumë seriozisht nga institucionet e Kosovës.

Ndër të tjera ai theksoi se Albin Kurti nuk ka pasur një qasje pozitive ndaj këshillave dhe sugjerimeve të Amerikës.