Bizneset janë në krizë të madhe – Berisha: Jemi në prag të falimentimit
Kryetari i Shoqatës së Gurthyesve të Kosovës në kuadër të Lidhjes së Bizneseve të Kosovës, Gëzon Berisha, ka deklaruar se bizneset në Kosovë po përballen me një krizë të thellë, duke theksuar se vështirësitë janë shtuar si pasojë e inflacionit, shtrenjtimit të derivateve të naftës dhe energjisë elektrike, por edhe për shkak të mos-harmonizimit të ligjeve.
Berisha në një intervistë për Ekonomia Online ka thënë se situata është rënduar deri në atë pikë sa, sipas tij, bizneset janë në prag të falimentimit për shkak të krizave të njëpasnjëshme.
Ai ka deklaruar se viti 2026 është vit krize për bizneset dhe se pasojat e kësaj situate, sipas tij, do të reflektohen edhe gjatë vitit 2027.
Berisha i ka bërë thirrje kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti që të takohet me përfaqësuesit e bizneseve për të diskutuar për zgjidhjen e problemeve me të cilat po përballen.
Kryetari i Shoqatës së Gurthyesve ka folur edhe për problemet me legjislacionin, veçanërisht në sektorin e minierave dhe mineraleve, ku ka thënë se bizneset kanë vite që përballen me mungesë licencash, lejesh dhe vendimesh.
Sipas Berishës, Qeveria duhet të merret më seriozisht me problemet e bizneseve, duke e konsideruar ekonominë si shtyllën kryesore të shtetit dhe burim të të hyrave në buxhet.
Berisha ka thënë se kompanitë marrin kredi nga bankat dhe këto mjete i investojnë në Kosovë, ndërsa përmes aktiviteteve të tyre kontribuojnë në buxhet përmes pagesës së tatimeve dhe doganave, si dhe punëtorëve përmes pagave.
Ai ka paralajmëruar se kriza aktuale po ua vështirëson bizneseve edhe shlyerjen e obligimeve financiare dhe tatimore, duke rritur rrezikun që kompanitë të përballen me probleme edhe më të mëdha./EO

