Blend Sherifi, nga përfitues në qytetar aktiv

Blend Sherifi nga Gjilani nuk ndalet as në vapën e kësaj vere. Në moshën 18 vjeçare, ai është një burim i pashtershëm energjie, duke punuar pa u lodhur mbi ide të cilat frymëzojnë dhe angazhojnë të rinjtë e tjerë, shkruan UNICEF në faqen e tij për Kosovë.

Aktualisht, ai është praktikant në zyrën e kryetarit të Gjilanit, por tregimi i tij shkon më thellë, e i lidhur ngushtë me përvojën e tij në UPSHIFT.

Rrugëtimi i Blendit me UNICEF-in në Kosovë filloi kur ai iu bashkua punëtorisë UPSHIFT, një përvojë që ndryshoi jetën e tij.

UPSHIFT nuk është thjesht për të mësuar si të planifikohen dhe implementohen projekte për inovacion social; por kjo punëtori transformon mendjen e të rinjve.

Për Blendin, ato tre ditë ishin më shumë se një punëtori.

Në muajin mars të këtij viti, Blendi ishte një prej 114 pjesëmarrësve nga rajoni i Anamoravës, të cilët gjatë punëtorisë tre-ditore ideuan dhe zhvilluan projekte që implementohen brenda komuniteteve ku jetojnë.

“Është e pabesueshme sa shumë më ka ndihmuar kjo punëtori,” thotë Blendi.

“UPSHIFT nuk më mësoi vetëm si të planifikoj dhe dizajnoj projekte; më mësoi si të gjindem kur jam në garë”.

Përmes UPSHIFT, Blendi mësoi vlerën e avokimit, rëndësinë e njohjes me bashkë moshatarët dhe planifikimin e buxhetimit të projekteve.

Por më shumë se kaq, ai mësoi të besojë në vetvete dhe në idetë e tij.

“Nuk kam qenë në asnjë moment pasiv në këtë punëtori,” shpjegon Blendi.

“Gjithmonë kam dashur të bëj diferencën dhe me vendosmërinë time e kam ditur se shanset për tu përzgjedhur projeki im, ishin të mëdha.”

Sot, Blendi është nxënës i klasës së 11-të pranë Gjimnazit Natyror ‘Xhavit Ahmeti’ në Gjilan.

Çdo gjë që ka mësuar në UPSHIFT e përdor edhe në jetën e përditshme.

Ai njeh gjashtë gjuhë programuese, punon në administrimin e rrjeteve dhe serverëve, merret me aktivitete të ndryshme me organizata joqeveritare dhe organizon ngjarje për klube të ndryshme në Gjilan, që lidhen me natyrën, psikologjinë dhe sportin.

Një nga arritjet e tij më të rëndësishme është të qenit një nga 25 të rinjtë e Kosovës, rekomandimet e të cilëve për buxhetimin e rinisë arritën deri në Bruksel.

“Projektin që kam fituar përmes UPSHIFT, me ndihmën prej 1,000 euro e kam realizuar me profesionalizëm, kujdes dhe entuziazëm,” tregon Blendi.

“Besimi që UNICEF në Kosovë me mjetet financiare nga Agjencia Austriake për Zhvillim kanë pasë te ne është shumë i rëndësishëm. Unë jam person që mbroj idetë e mia dhe dua që prej tyre të përfitojnë edhe të tjerët.”

Blendi ndan me ne edhe një histori prekëse për një vajzë me aftësi të kufizuara që mori pjesë në punëtorinë e UPSHIFT.

“Në fillim, ajo ishte e tërhequr, por më vonë u përfshi plotësisht në grup dhe madje prezantoi idenë e saj. Ishte e mrekullueshme të shihja se si u rrit besimi i saj. Kjo përvojë më mësoi shumë edhe për mënyrën se si të sillem me persona nga grupe të ndryshme shoqërore.”

Për Blendin, përvoja në UPSHIFT ishte më shumë se mësimi i aftësive të reja; ishte përgatitje për jetën reale.

“Ka shumë sfida për të rinjtë, dhe disa prej tyre kanë vështirësi të marrin shkathtësitë e nevojshme në shkollë. Por përmes UPSHIFT, mendoj se po përgatitemi për tregun e punës dhe konkurrencën që na pret,” thotë Blendi.

Tani, i pajisur me njohuritë që mori në UPSHIFT implementuar nga OJQ “IPKO Foundation”, Blendi po ndihmon në zyrën e kryetarit të Gjilanit.

“Unë jam njëri prej dy asistentëve në administratë. Marrim pjesë në takimet e kryetarit me rininë e Gjilanit dhe kur planifikohen dhe ndahen buxhetet për të rinj, gjithashtu i shprehim idetë tona. Kjo përvojë është e çmuar dhe po e konsideroj të vazhdoj këtë rol, sepse më lejon të takoj njerëz me profile të ndryshme akademike,” tregon Blendi.

A do ta vazhdojë Blendi trashëgiminë e UPSHIFT-it dhe të frymëzojë të tjerët për të bërë të njëjtën gjë?

“Patjetër,” thotë ai me vendosmëri.

“Ne kemi nisur të kërkojmë përkrahës, kemi kontaktuar edhe partnerë të tjerë për të na ndihmuar të zbatojmë projektet ekzistuese ose të reja që do të ndikojnë pozitivisht në jetën e të rinjëve në Kosovë.”