Blero konfirmon ndarjen me Afronën pas martesës dyvjeçare

Këngëtari i njohur, Blero Muharremi, përmes një postimi në Facebook, e ka konfirmuar ndarjen me modelen Afrona Dika.

Ai ka thënë se ata i kanë dhënë fund martesës së tyre dyvjeçare, duke bërë të ditur se arsyet janë personale dhe u përkasin vetëm atyre.

“Unë dhe Afrona Dika i kemi dhënë fund martesës sonë 2-vjeçare në maj të këtij viti. Arsyet janë tërësisht personale dhe që na përkasin vetëm neve. Nuk ka pasur asnjë moment hapësire për interpretim, keqinterpretim apo përdorim të imagjinatës”, ka shkruar Blero.

Ai ka kërkuar nga publiku që ta lënë siç është pjesën e jetës së tij private dhe të mos merren me të, përcjell Klankosova.tv.

“Lidhja jone ka përfunduar, ndaj situata është e rënduar ashtu siç është, madje edhe pa e kthyer në pjesë të debatit publik. Unë po ju drejtohem me një kërkesë, për herë të parë dhe të fundit, me shpresë që do të hasi në mirëkuptimin tuaj, ta lëmë ashtu siç është këtë pjesë të jetës sime dhe të mos merremi më gjatë me të. Ky është vendim, i cili na përkiste vetëm mua dhe Afronës, ndaj dhe dëshiroj që ta mbajmë të tillë”, ka shkruar ai.

Këngëtari gjithashtu përmes këtij postimi kërkoi mirëkuptimin e të gjithëve në lidhje me këtë çështje.

“Do ta vlerësoja shumë nëse do të më mirëkuptoni, meqenëse kjo vërtetë do të jetë hera e fundit kur unë do të ju adresohem për këtë çështje. Faleminderit nga zemra për kohën”, është shprehur tutje Blero.