Boll zor është me qenë pensionistë në Kosovë

Nuk është aspak e lehtë me qenë pensionistë në Kosovë, jo veç pse pensioni bazë është 100 euro, por edhe obligohesh me shkue personalisht në zyrat e qeverisë për me tregue që je gjallë, plus me marrë me vete një faturë të rrymës për me dëshmue vendbanimin.

Ministri i Financave Hekuran Murati ka njoftuar se secili pensionist i Kosovës duhet të lajmërohet në zyrat e pensioneve për të vërtetuar se është gjallë.

Ai ka thënë se për të evidentuar tollovitë, pensionistët duhet të paraqiten në dy grupe, të pavaksinuarit dhe vaksinuarit.

Njoftimi i plotë:

Që nga java e kaluar MFPT ka njoftuar pensionistët se është rikthyer detyrimi që ata të paraqiten në zyrat e pensioneve.

Për të evituar tollovitë, kemi bërë ndarjen në dy grupe që duhet të paraqiten sipas radhës – të pavaksinuar dhe vaksinuar.

Të gjithë pensionistët që NUK kanë marrë asnjë dozë të vaksinës kundër COVID-19, janë të obliguar të paraqiten në zyrat e pensioneve para datës 14 korrik 2022.

Të gjithë pensionistët tjerë, janë të obliguar të paraqiten më së largu deri me datën 12 gusht 2022.

Me rëndësi:

Për të dëshmuar vendbanimin, pensionistët duhet të sjellin me vete edhe faturën e energjisë elektrike.
Fatura duhet të jetë në emrin e pensionistit, apo në emër të familjarit me të cilin pensionisti jeton në bashkësi familjare.

Në rast se jeton me qira, atëherë duhet edhe kontrata e qirasë, bashkë me faturën e energjisë elektrike.