Borxhi publik i ShBA-së arrin për herë të parë në 40 trilionë dollarë

Borxhi i përgjithshëm i Shteteve të Bashkuara ka arritur për herë të parë në 40 trilionë dollarë, tha të mërkurën Departamenti i Thesarit, duke nxitur paralajmërime të reja se një krizë fiskale është në ardhje, pasi kostot në rritje për programet sociale dhe pagesat e interesit i tejkalojnë me një dalim të madh të hyrat që janë kufizuar nga ulja e taksave.

Deklarata më e re e Thesarit për baraspeshën e parave të gatshme dhe borxhit tregoi se borxhi publik i përgjithshëm të martën arriti në 40,04 trilionë dollarë, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Grupet për vëzhgimin e buxhetit me javë kanë qenë duke e parashikuar tejkalimin e këtij pragu dhe kanë lëshuar paralajmërime të reja se një krizë e plotë e borxhit mund të shpërthejë, nëse ligjvënësit nuk u kundërvihen perspektivës së paqëndrueshme fiskale dhe nuk i rritin taksat, nëse nuk i zvogëlojnë shpenzimet ose nëse nuk i bëjnë të dyja këto veprime.

Thesari javën e kaluar e raportoi deficitin mujor të katërt më të lartë në historinë e vendit – 432 miliardë dollarë për muajin korrik.

Borxhi publik ishte rritur për 8,4 miliardë dollarë gjatë mandatit të ish-presidentit Joe Biden, i karakterizuar nga shpenzimet e mëdha për rimëkëmbje gjatë pandemisë së koronavirusit, por edhe nga subvencionet për energjinë e pastër dhe prioritete të tjera, të mbështetura nga Partia Demokratike.