Brenda “qytetit fantazmë”, që u zhduk dhe nga hartat

Disa e quajnë atë “qyteti fantazmë”, sepse për dekada nuk u shfaq në asnjë hartë, një vend klandestin që në kulmin e Luftës së Ftohtë ka të ngjarë të fshihte një arsenal vdekjeprurës të armëve bërthamore të afta për të zhdukur qytetet kryesore perëndimore. Të tjerë i referohen atij si Çernobili polak, për shkak të mantelit të fshehtësisë të hedhur për radioaktivitetin e tij.

Por sot, Borne Sulinowo, në rajonin e Pomeranezit Perëndimor të Polonisë, po reklamohet si një destinacion emocionues për aventurierët që kërkojnë të eksplorojnë një zonë të bukur natyrore por me një të kaluar shumë të errët.

Rrugës për atje do të hasni, qytetin e Drawsko Pomorskie, terreni më i madh ushtarak për trupat e NATO-s në Europë. Vitin e kaluar, dhjetëra mijëra ushtarë u vendosën aty, duke përdorur “mbulesën” e ofruar nga peizazhi i liqeneve dhe pyjeve të dendura për Defender-Europe 20, që thuhet të jetë stërvitja më e madhe ushtarake në kontinent për çerek shekulli.

Para shembjes së Bashkimit Sovjetik në 1991, Borne Sulinowo, ishte i arritshëm vetëm për ata persona që kishin një kalim të veçantë, ose “пропуск” në rusisht. Të gjithë të tjerët qëndruan larg dhe u shtirën sikur nuk dinin gjë për të. Ishte e mbyllur, e fshehur dhe e shmangur më së miri.

Gati 12000 trupa sovjetike ishin vendosur në kompleksin ushtarak Borne Sulinowo në kulmin e Luftës së Ftohtë. Ata ishin pjesë e Grupit Verior të Forcave të pranishme në Poloni si pjesë e marrëveshjes së Traktatit të Varshavës midis Bashkimit Sovjetik dhe republikave socialiste të Bllokut Lindor. Por njerëzit që jetonin afër Borne Sulinowo ishin shumë të frikësuar për ta përmendur këtë.

Megjithatë, dhe para mbërritjes së Sovjetikëve, qyteti kishte qenë kryesisht jashtë kufijve dhe hartave. Para Luftës së Dytë Botërore, kur rajoni ishte pjesë e Gjermanisë, qyteti ishte i njohur si Gross Born, dhe funksiononte si një bazë ushtarake dhe terren stërvitje.

Në vitin 1939, trupat e stacionuara aty nën komandën e gjeneralit Heinz Guderian filluan pushtimin e Polonisë që do të shkaktonte konflikt global, ndërsa më vonë u përdor për të strehuar të burgosurit e luftës.

Vetë gjermanët ndërtuan pjesën më të madhe të infrastrukturës që u përdor më vonë nga sovjetikët. Kishte kazerma, hekurudhë dhe një kompleks të madh spitali ushtarak që sot qëndron i braktisur dhe mbetet një enigmë që pret të eksplorohet nga vizitorët.

Në ditët e sotme, Borne Sulinoëo është një lagje rezidenciale. Pasi sovjetikët u larguan, kazermat u shndërruan në apartamente. Hekurudha u hoq dhe u kthye në rrugë kryesore.

Gardhet e sigurisë dhe telat me gjemba janë zhdukur prej kohësh, duke lënë terrenet e braktisura plotësisht të hapura për vizitorët kuriozë. Vizitorët enden midis pemëve dhe shkurreve që kanë dalë rreth skeletit të ndërtesave të mbetura.

Rreth 5000 njerëz tani jetojnë këtu, ndërsa disa nga ndërtesat funksionale janë restauruar dhe rinovuar gjatë viteve. Një spital i epokës Sovjetike është i paprekur dhe është rinovuar. Një tjetër ndërtesë në formë H në qendër të qytetit është tani një shtëpi pleqsh dhe njësi rehabilitimi për pacientët me sklerozë të shumëfishtë. Megjithatë, qyteti ende tregon shenja të së kaluarës së tij./A2CNN