Burri bën bela me gruan e sëmurë pse nuk i bëri kafe

Gjykata Themelore në Prizren i ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji të pandehurit A.L për shkak të veprës penale “dhunë në familje”.

“Gjykata me rastin e caktimit të paraburgimit ndaj të pandehurit A.L., ka vlerësuar se ekzistojnë arsyet ligjore për caktimin e kësaj mase, duke pasur parasysh peshën e veprës penale, mënyrat dhe rrethanat në të cilat është kryer vepra penale, ku i pandehuri me veprimet e tij ka shkaktuar dhunë në familje, dhe nga provat e mbledhura deri në këtë fazë rrjedh dyshimi i bazuar se i pandehuri A.L., me datë 30.11.2020 rreth orës 18:40, në shtëpinë e përbashkët familjare, me qëllim të cenimit të dinjitetit brenda një marrëdhënie familjare, i ka shkaktuar dhunë psikologjike të dëmtuarës – bashkëshortes së tij, deri sa e dëmtuara ishte e shtrirë për të pushuar për shkak të gjendjes së saj shëndetësore, i pandehuri A.L. e fyen dhe e poshtëron të dëmtuarën, me forcë tenton ta zgjon të dëmtuarën për t’i përgatitur kafe, i pandehuri e kap për krahu duke e zgjuar dhe i drejtohet me fjalët “ nuk ki qare pa u çua, ec kur të them unë”, me të cilat veprime tek e dëmtuara ka shkaktuar shqetësim të madh emocional dhe ndjenjë të frikës dhe pasigurisë”, thotë Gjykata.

Por, ky veprim i dhunshëm nuk ishte i vetmi i të dyshuarit.

Gjykata thotë se duke marrë parasysh karakteristikat personale të tij dhe faktin se i njëjti edhe më parë ka qenë i përfshirë në veprime të njëjta të dhunës në familje, si dhe shpeshtimin e rasteve në Kosovë të kësaj natyre, ekziston rreziku se me lënien e të pandehurit në liri, ai mund të përsërisë veprën e njëjtë penale, por që mund të ketë pasoja edhe më të mëdha.

A.L do të qëndrojë në paraburgim një muaj dhe do t’i llogaritet prej datës 30.11.2020 deri me datën 29.12.2020, thuhet nè njoftimin e Gjykatës.